Për rreth dy orë, qindra qytetarë të Tiranës morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile për të nderuar 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila humbi jetën në plazhin e Potamit në Himarë, pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga oficeri i policisë Arjan Tase.
Protesta nisi përpara Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Çuçi dhe Drejtorit të Policisë, Gledis Nano, por edhe të ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, madje lanë dhe një afat 72 orë për shkarkimin e tyre, në të kundërt protesta do të vijojë. Një moment tensioni u shënua para godinës së ministrisë, por që u shua shumë shpejt.
Protestuesit ndezën qirinj dhe vendosën lule, për t’u zhvendosur më pas përpara Kryeministrisë, Presidencës dhe Drejtorisë së Policisë.
Qytetarë të shumtë morën fjalën, të cilët njëzëri kërkuan dorëheqjen e ministrave përgjegjës për këtë ngjarje dhe drejtësi për të miturën që humbi jetën në mënyrë tragjike.
Protestës qytetare iu bashkuan dhe drejtuesit e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët zgjodhën të mos iu drejtoheshin të pranishmëve.
I pyetur nga gazetarët, ish kryeministri Sali Berisha e konsideroi ngjarjen si shumë tragjike dhe shtoi se qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministrave.
“Po të isha në vendin e Ramës, nëse Çuçi nuk do të kishte ikur për 3 minuta, në të 4 do e kisha shkarkuar, atë dhe ministren e Turizmit. Këta përpiqen që me zinxhirin e policisë së Vlorës, të kapërcejnë një nga ngjarjet më tragjike që ka ndodhur në këtë vend”, tha Berisha.
Ndërsa, ish presidenti Ilir Meta përveç dorëheqjes së ministrave tha para kamerave se qytetarët duhet intensifikojnë protestat kundër kësaj qeverie.
“Zgjidhja është protesta, dorëheqja e gjithë ministrave përgjegjës dhe kryetarit të Bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi I tyre.
Qytetaret duhet të shumëfishojnë vrullin, intensitetin e protestës. Të vrasin frikën dhe të triumfojë liria. Familjet shqiptare janë në gjendjen më të rëndë nga ana ekonomike, nga problemet sociale, sa shumë të rinj të prekur nga fenomeni i drogës”, tha Ilir Meta.
Aktualisht autori i kësaj ngjarje të rëndë Arjan Tase është arrestuar dhe policia ka referuar për të akuzën e vrasjes nga pakujdesia , e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg, akuzë kjo që sipas burimeve pritet të ndryshojë nga prokuroria në seancën që do të mbahet të premten në Gjykatën e Vlorës.
7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.
Për këtë ngjarje të rëndë, u shkarkuan nga detyra dhe zinxhiri drejtues i i Policisë së Kufirit në Vlorë.