Shkruan ILIR ZELA, themelues dhe kryetari i parë i Rinisë Eurosocialiste Shqiptare
Një pjesë e rëndësishme e rinisë shqiptare po proteston këto ditë në rrugët e Tiranës. Kërkesat e tyre për një sistem politik demokratik e funksional ndër shqiptarë janë thelbësisht të drejta! Socialistët i mishëruan këto aspirata në Kushtetutën e vitit ’98. Socialistët i rezistuan fashizmit në pushtet në 1992-1997. Stabilizuan vendin pas krizës së ’97-ës, hapën perspektivën e shkatërruar të bashkimit me Europën, kontribuuan në çlirimin e Kosovës dhe ndërmorën reformën në drejtësi në 2015. Ka një paralele midis shpirtit të socialistëve të mishëruar në këto kontribute dhe aspiratave të të rinjve në këtë protestë. Por, për fat të keq, medalja ka edhe një anë tjetër. Është autokracia e sotme, e cila është larguar nga aspiratat e shqiptarëve! Janë rilindarët e pasuruar, të trashur e stërplakur në pushtet, bartësit e korrupsionit dhe amalgamës me krimin, të cilët janë objekti i kësaj proteste, siç janë edhe subjekt i SPAK. Kam parë këto ditë socialistë që po marrin pjesë në protesta, duke dëshmuar shqetësimin e tyre për gjendjen në të cilën është katandisur demokracia në vend. Kam parë edhe disa socialistë të tjerë, të cilët i kanë bërë jehonë artikulimeve nën panik të autokratit kryeministër.
Raporti i socialistëve me protestën më ka nxitur të bëj pyetjen: vallë, të jenë katandisur të gjithë socialistët në klone të subjekteve të SPAK-ut, në viktima të oligarkisë? Do të dëshiroja që revolta e të rinjve të jetë një mundësi për socialistët të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit, të kuptojnë se sakrifikimi i demokracisë së brendshme në emër të unitetit fals ishte në thelb uzurpim i pushtetit nga një person ose një grup pa lidhje me socialistët e vërtetë, pjesa më e shëndoshë e të cilëve nuk i besuan kurrë Edi Ramës, por në të njëjtën kohë e përkrahën bujarisht. Protesta është edhe një mundësi për ata socialistë, të cilët besuan te rilindarët pa e lidhur këtë besim me leje kullash e përbindëshash të tjerë të betonit apo përfitime sharlatanësh, të administrojnë zhgënjimin e tyre e të kuptojnë që atdheu, pyjet e kullotat, bregdeti, plazhet e fushat janë më të rëndësishme se një vend pune në administratë, një kapardisje firmatosh në sallat e institucioneve, nxjerra jashtë funksionit kushtetues, apo një përfitim momental prej sistemit të korruptuar të pushtetit autokratik.
Kur shoh socialistë të kontributeve në protestë, pyes veten nëse ka kuptim t’u thuash këtyre njerëzve se uzurpimi i vullnetit të tyre ka përzënë nga vendi ynë 1 milion shqiptarë, ka kontribuar në arrogancën e pushtetit dhe dobësimin e llogaridhënies. Ata i dinë këto dhe prandaj protestojnë! Socialistët e shohin se kolltukofagët e sotëm janë më të plakur e shumë më të dhjamosur se bllokmenët e brezit më të fundit të regjimit hoxhist. Socialistët e dinë që ka ardhur koha që një brez i ri të rigjejë vlerat më të mira të së majtës dhe të kërkojë modestisht të marrë pjesë në udhëheqjen e atdheut. Por të jesh socialist dhe të shkosh në protestë, do të thotë që ke hequr dorë nga përpjekja për ta çliruar politikën, nuk beson te mundësia që një lidership i ri për socialistët, por edhe për të gjitha alternativat e tjera politike, të realizohet përmes proceseve të demokracisë së brendshme. Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë vetë Partia Socialiste. Socialistët duhet të rigjejnë vetveten, t’ia dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindarët që ajo po i kërkon prej kohësh. Të bëhen njësh pa mëdyshje të mëtejshme me aspiratat e shqiptarëve për shtet, drejtësi, dinjitet e bashkim me Europën!


