Edi Rama i është nënshtruar një operacioni në orët e para të mëngjesit në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
Sipas zyrës së shtypit, pas kryerjes së disa testeve imazhe në QSUT, u pa se kreu i qeverisë vuante nga një apendicit akut dhe për këtë arsye iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.
Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, shef i shërbimit të kirurgjisë në QSUT.
Sipas zyrës së shtypit, ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetësore e kryeministrit Rama paraqitet e mirë.
Shefi i shërbimit të kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, ka dalë në një konferencë për mediat ku foli rreth gjendjes shëndetësore të kryeministrit Edi Rama, i cili në orët e para të mëngjesit iu nënshtrua një operacioni për heqjen e apendicitit.
Gjata tha për mediat se ndërhyrja është kryer me laparoskopi rreth orës 02:00, ndërkohë që gjendja shëndetësore e kreut të qeverisë është e mirë.
“Operacioni u krye me laparoskopi. Është intervenuar rreth orës 02:00. Operacioni shkoi mirë, nuk ka temperaturë dhe sot do të fillojë dhe të ushqehet. Nesër besoj se duhet të dalë nga spitali. Me laparoskopi koha e rikuperimit është shumë e shpejtë, brenda 2-3 ditësh. Kryeministri nuk duhet të tregojë ndonjë kujdes të shtuar. Ai mund të ecë që sot. Kryeministri komunikon normalisht dhe është i qetë”, tha Gjata.
Çfarë është Laparoskopia?
Thënë thjesht, laparoskopia është vëzhgimi i barkut duke përdorur një pajisje optike. Ndërsa ishte përdorur më parë për qëllime diagnostikuese, me përparimet teknologjike, laparoskopia tani po përdoret për qëllime të trajtimit (kirurgjia laparoskopike). Ndërhyrjet tradicionale kirurgjike zakonisht kërkojnë prerje të gjata. Sidoqoftë, kirurgjia laparoskopike lejon prerje prej 0.5-1 cm në madhësi, përmes të cilës është e mundur të vëzhgohen problemet. Në krahasim me metodat kirurgjikale tradicionale, laparoskopia është një metodë më pak invasive dhe mund të reduktojë kohën e qëndrimit në spital, dhimbjen dhe kohën e shërimit të pacientit. Në shumicën e rasteve, laparoskopia mund të kryhet nën anestezi lokale dhe nën kushte ambulatore.