Sociologia Edlira Devolli e ftuar në emisionin Aktualitet në NTV Televizion ka folur për varfërinë që ka prekur vendin tonë dhe për dhunën në familje.
Për sociologen Edlira Devolli ne jemi një vend që nuk e kemi të deklaruar minimumin jetik dhe qeveria që na drejton nuk e ka idenë se sa të ardhura i duhen një qytetari për të përmbushur nevojat bazike për ushqim, higjenë dhe zhvillim social-kulturor.
Gjithashtu një temë e nxehtë që u diskutua në emision është dhe dhuna në familje, sipas sociologes Devolli vitet e fundit ka shumë denoncime nga nënat që dhunohen nga djemtë dhe nga vajzat.
Temat e diskutuara në emision:
1. Shqipëria me përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik të varfërisë në Europë.
Ne jemi një vend që nuk e kemi të deklaruar minimumin jetik. Shteti ynë, qeveria që na drejton nuk e ka idenë se sa të ardhura i duhen një qytetari për të përmbushur nevojat bazike për ushqim, higjenë dhe zhvillim social-kulturor.
Në këto 34 vite postkomunizëm asnjë qeveri nuk e ka deklaruar minimumin jetik, jo se nuk kanë mundur, por nuk kanë dashur pasi sa më i varfër një popull aq më lehtë manipulohet, aq më lirë blihet.
Nëse nxjerrin minimumin jetik do përllogarisin në shifra më të larta ndihmën ekonomike, rrogën minimale dhe do t’u duhet të subvencionojnë pensionet që janë nën shifrën e minimumit jetik.
Minimumi jetik është baza e një politike të mirë sociale, në të kundërt rritet niveli i varfërisë.
Çështjet janë të lidhura zinxhir, sa më i lartë nr i të varfërve, aq më shumë rritet krimi, aq më shumë shtohet dhuna në familje, aq më i lartë është nr i divorceve, ulet nr i lindjeve, aq më pak frekuentohen institucionet e edukimit.
Ne si vend nuk jemi në rrezik për të rënë në varfëri, ne kemi rënë në varfëri. Madje në zona të caktuara kemi varfëri ekstreme. Ka familje dhe fëmijë që bien të flenë pa darkë.
Braktisja e vendit është një tregues tjetër i varfërisë. Askush nuk largohet nga një vend i sigurt dhe me politika të mira socialekonomike.
Sot nuk kemi vetëm minimumin jetik të pa deklaruar, sot ne nuk dimë se sa është nr i popullsisë në vendin tonë.
U bë një studim nga INSTAT, “Censi” dhe ende të dhënat nuk janë publikuar. Pse? Sepse shifrat e braktisjes së vendit janë alarmante.
Një vit para zgjedhjeve kurrsesi nuk do e publikonin pasi propaganda nuk e lejon.
Sot kemi të varfër dhe shumë të pasur. Jemi një vend pa shtresë të mesme.
Shtresa e mesme pothuaj e ka braktisur këtë vend, mjek, infermier, mësues, inxhinier, jurist etj, pse jo dhe sipërmarrës të cilëve politikat e ndjekura i çuan në faliment dhe u lanë zgjidhje vetëm kurbetin.
Sot çmimet i hajnë rrogat në dhjetë ditët e para të muajit. Pjesa dërrmuese e Shqiptarëve nuk arrijnë të bëjnë pushime një herë në vit, as të kursejnë ndonjë cent në fund të muajit.
2. Dhuna në familje.
Nuk ka javë për të mos thënë ditë që në edicionet informative flitet për dhunën në familje. Familja institucioni ku njeriu duhet të gjejë gjithë përkrahjen, qetësinë, hapsirën dhe lirinë, pikërisht aty buron dhuna më e madhe fizike e psikologjike. Shtresa më e margjinalizuar është femra, femra si grua, si vajzë, si motër edhe si nënë.
Vitet e fundit ka shumë denoncime nga nënat që dhunohen nga djemtë dhe nga vajzat ka pasur raste.
Familja shqiptare është në kolaps.
Është zhbërë rendi natyror. Natyra e kërkon që fëmija kur lind të marri gjithë dashurinë prindërore dhe kujdesin e tyre, por të nënës më tepër. Prindërit kujdesen për t’i mësuar gjithçka, kujdesen për shëndetin, edukimin, veshjen, etj derisa ky fëmijë të bëhet zot i vetes e të eci krah prindit, pse jo edhe më lartë.
Më pas natyra e kërkon që fëmija të kthej atë që ka marr, përkujdesje, respekt dhe dashuri. Nëse i ka mundësitë financiare ti jap edhe ato, por dashuria dhe respekti janë të mundshme.
Ky është cikli i jetës, kjo është familja, marrëdhënie (merr e jep).
Dukshëm shumë të rinj shqiptar janë mësuar vetëm të marrin.
Nëse flasim për një 26-27 vjeçar që dhunon nënën, këtu familja nuk ka ditur të jap modelin, institucionet arsimore nuk kanë luajtur rolin dhe funksionin edukues, shoqëria është “toksikuar”, mediat nuk ofrojnë modele të cilat nxisin rritjen e nivelit edukues.
Një i ri 26-27 vjeç duhet të kishin krijuar pavarësinë e tyre, familjen apo strehën e tyre të banimit.
Një ri që dhunon nënën nuk është e thënë të jetë me probleme të shëndetit mendor, sot përdorimi i lëndëve psikotrope (drogë &alkool), kanë degraduar një pjesë të mirë të rinisë në vendin tonë.
Ku u lindën e u rritën këta djem e vajza që dhunojnë prindërit?! Ku u edukuan këta burra që dhunojnë gratë, vajzat, motrat, nënat?
Në këto familje, në këto institucione arsimore u edukuan, të cilat nuk kanë ditur a nuk kanë mundur të kryejnë funksionin.
Familja është dobësuar, arsimi akoma më shumë.
Fëmijën nuk e edukon rruga, as shoqëria!
Duke u kujdesur në familje për fëmijët dhe prindërit tanë ofrojmë modelin qê rendi natyror na kërkon!
Duke edukuar fëmijët me dashuri e përkushtim në institucionet arsimore ne kontribuojmë për një shoqëri të emancipuar dhe me vlera.
Që e ardhmja të ketë shpresë, duhet vëmendje dhe investim në familje dhe institucionet edukuese!