Vetëm analizimi i disa monumenteve që janë dëmtuar nga tërmeti në Shqipëri do të marrë goxha kohë. Për këtë proces, që është hapi i parë sa u përket planeve restauruese dhe konservuese, shteti shqiptar do të angazhojë edhe ekspertë ndërkombëtarë.
Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të javës së kaluar, ku në Shqipëri ka rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.
Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër këto monumente. Ajo ka thënë se është bërë incizimi me dron i Kalasë së Prezës dhe inspektimi i disa monumenteve të tjera. Mirëpo, sipas saj, i gjithë ky proces nuk do të jetë i thjeshtë dhe kërkon kohë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Lëkundjet sizmike të 26 nëntorit dhe të ditëve në vijim shkaktuan dëmtime edhe në monumente kulturore. Kemi inspektuar nga afër monumentet më të goditura, si Kalaja e Krujës, Kalaja e Prezës dhe muri bizantin në Durrës, për t’i evidentuar dëmet dhe për t’i marrë masat e duhura. Nuk do të jetë e thjeshtë dhe do të kërkojë kohë”, ka thënë ajo.
Margariti ka treguar se kanë mobilizuar me të gjitha forcat dhe se po bashkëpunojnë me Institutin e Gjeologjisë dhe ekspertë të huaj. Po ashtu, ajo ka kërkuar edhe mirëkuptim dhe respektim të perimetrit të sigurisë, pasi që Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, kanë ndaluar rreptësisht hyrjen në këto Kala.
“Është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos i dëmtuar më shumë monumentet. Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj”, është shkruar në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.
Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.
Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt.