Në një treg të ngarkuar të një zone të varfër të Harares, kryeqytet i Zimbabvesë, Nyasha Ndou po e mbante maskën në xhep, përderisa qindra njerëz, kryesisht pa maska, dyndeshin për të shitur e blerë pemë e perime të vendosura në tavolina druri e shtresa plastike. Njësoj si në një pjesë të madhe të Zimbabvesë, koronavirusi këtu po i lihet shpejt të kaluarës, ndërsa tubimet politike, koncertet e grumbullimet nëpër shtëpi janë kthyer.
“Covid-19 ka shkuar, kur keni dëgjuar për herë të fundit për dikë që ka vdekur nga Covid-19”, thotë Ndou. “Maska është për ta mbrojtur xhepin tim. Policia kërkon ryshfet, prandaj unë humb para, nëse nuk endem me maskë”, shton ai.
Më herët këtë javë, Zimbabveja regjistroi vetëm 33 raste të reja me Covid-19 dhe asnjë të vdekur, në linjë me rënien e fundit të shifrave në mbarë kontinentin, ku të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se infeksionet kanë rënë nga muaji korrik.
Kur koronavirusi u shfaq për herë të parë vitin e kaluar, zyrtarët shëndetësorë frikësoheshin se pandemia do ta përfshinte kontinentin dhe do të vriste miliona njerëz. Ndonëse ende është i paqartë rezultati përfundimtar i Covid-19, ky skenar katastrofal ende nuk është materializuar në Zimbabve ose në një pjesë të madhe të kontinentit.
Shkencëtarët theksojnë se sigurimi i të dhënave të sakta për Covid-19, sidomos në shtetet afrikane me vëzhgim me të meta, është jashtëzakonisht i vështirë dhe paralajmërojnë se dukuria e rënies së shifrave të pandemisë mund të kthehet lehtë mbrapsht.
Por ka diçka “misterioze” që po ndodh në Afrikë që po i huton shkencëtarët, thotë Wafaa El-Sadr, drejtore për shëndet global në Universitetin e Kolumbias. “Afrika nuk i ka vaksinat dhe burimet për ta luftuar Covid-19 që i ka Evropa e Shtetet e Bashkuara, por disi duket se ata po ia dalin më mirë”, tha ajo.
Më pak se 6 për qind e popullsisë së Afrikës është vaksinuar. Për disa muaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportet e saj javore për pandeminë, e ka përshkruar Afrikën si “një ndër rajonet më së paku të prekura në botë”.
Disa hulumtues thonë se popullsia më e re e Afrikës – mosha mesatare është 20, në krahasim me moshën mesatare rreth 43-vjeçare në Evropën Perëndimore -, bashkë me shkallën më të ulët të urbanizimit e prirjes për të kaluar kohë në mjedis të hapur, mund ta ketë kursyer Afrikën nga efektet më vdekjeprurëse të virusit deri më tani.
Disa studime janë duke u kryer për të parë nëse mund të ketë shpjegime të tjera, përfshirë arsyet gjenetike ose ekspozimin ndaj sëmundjeve të tjera.
Në Nigeri, shteti me popullsinë më të madhe në Afrikë, qeveria ka regjistruar rreth 3.000 të vdekur deri më tani në mesin e popullsisë rreth 200-milionëshe. Shtetet e Bashkuara regjistrojnë kaq viktima çdo dy ose tri ditë.
Shifra e ulëta kanë bërë që nigerianët si 23-vjeçarja, Opemipo Are, të ndihen të lehtësuar. “Ata thanë se do të ketë trupa të vdekur rrugëve dhe të gjitha ato, por asgjë e tillë nuk ndodhi”, thotë ajo.