Për Zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar qëndrimi i SHBa-ve për Berishën është më se i qartë.
Ai tha për VOA-n se u takon votuesve tashëm të vendosin se çfarë pozite janë partitë në vendin tonë dhe se jo çdo anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i SHBA-ve në këto momente.
Escobar shtoi se Berisha është shpallur non grata për korrupsion dhe se ky vendim nuk kishte bënte me politikën e mbështetësve të tij apo jetën e tij politike.
Po ashtu, Escobar u tërhoqi vëmendjen atyre që mendojnë se ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale.
Gabriel Escobar: Kjo është për të ardhur keq dhe mendoj se qëndrimi ynë për zotin Berisha është tashmë shumë i qartë.
Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar për fatin e Partisë Demokratike? Ishte partia e parë që u krijua pas rënies së komunizmit, që solli pluralizmin dhe tani ajo është në një pozitë tejet të dobësuar.
Gabriel Escobar: U takon votuesve të përcaktojnë se në ç’pozitë janë partitë politike në Shqipëri. Është për të ardhur keq që megjithëse ne e konsiderojmë Partinë Demokratike një partner të rëndësishëm në Shqipëri, jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente.
Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me korrupsionin. Nuk kishte të bënte me politikën e mbështetësve të tij apo jetën e tij politike. Dhe ne u kemi bërë thirrje autoriteteve ta luftojnë korrupsionin kudo që ta identifikojnë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit. Përsa i përket rikthimit, nuk jam i sigurt se është tamam ashtu. Është e mundur që ai të ketë mbështetës. Por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh.
Por nuk dua të flas për Berishën. Dua të flas për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Tani Shqipëria është një nga aleatët më të fortë dhe më të rëndësishëm që kemi në rajon. Marrëdhëniet tona në të gjitha aspektet, politike, strategjike, ushtarake dhe madje edhe ekonomike po rriten më shpejt se çdo marrëdhënie tjetër në rajon. Ne duam ta mbajmë të tillë. Kjo është e ardhmja. Nëse njerëzit, përfshirë përkrahësit e tij duan të shohin prapa, u takon atyre (të vendosin). Por ne shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur përpara, nëse vazhdon në rrugën që po ecën, që është një orientim i fortë euroatlantik./Ora News/