Prodhojmë 900 mijë ton qumësht në vit por formalisht grumbullojmë për konsum vetëm 1 të nëntën e totalit.
Lope, dele apo dhi, rënia e numrit të krerëve të bagëtive por dhe sasia e ulët e subvencioneve ndaj fermerëve kanë sjellë një rënie të ndjeshme të qumështit shqiptar edhe për vitin 2023. 80 mijë ton më pak qumësht lope, 13 mijë më pak dele por dhe 8 mijë më pak qumësht dhie është bilanci i prodhimit të këtij produkti në 2023.
“Është një rënie impaktuese që tregon situatën e vështirë të qumështit në treg. Është i njëjti trend edhe në numrin e krerëve”, theksoi Donjaldo Hoxha.
Nga sasia totale 110 mijë ton të grumbulluar në 2023, 13 mijë shkoi për konsumin njerëzor. Çka tregon edhe një sasi të lartë të qumështit të tregtuar në informalitet.
“Preferoj qumështin e fshatit, bëj një distancë të konsiderueshme.”
“Nuk e konsumoj fare pasi frikë nga qumështi pluhur por frikë dhe nga qumështi i papërpunuar”
“Marrim qumësht kutie ne markete”.
“Situata aktuale tregon që mosluftimi i informalitetit ka ndikuar në situatën e prodhimit dhe grumbullimit të qumështit. Nëse do kishim formën e duhur të luftimit do kishim një rritje të sigurimit ushqimor se produkti do të kalonte nëpër filtrat e duhur por dhe do të zhvillonte fermat më shumë”, tha Donjaldo Hoxha.
Ndonëse të përballur me problemin e reduktimit të qumështit shqiptar, problem për përpunuesit në vend mbetet mbizotërimi i produkteve të importit.
“Shifrat e importit për produktet e gatshme tregojnë një rritje çka tregon se konsumatori shqiptar po konsumon më shumë importi çka tregon këto ulje që ne po shpjegojmë. Element tjetër dhe kostot e prodhimit të qumështit shumë më të larta se rajoni dhe Europa”.
Një euro më e dobët sipas ekspertëve i ka bërë këto mallra edhe më të lira, rrjedhimisht duke shtuar dhe prezencën e tyre në raftet e marketeve.