Blendi Fevziu ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh nga bashkëshortja e Keli Hoxhës, 42-vjeçarit të vrarë më 28 tetor në kalanë e Beratit për një kalë. Vjola Haxhia ka sqaruar të gjithë dinamikën e tragjedisë së asaj dite ku babai i dy fëmijëve u vra nga 63-vjeçari Kristo Mema pas një debati për kalin.
Haxhia thotë se familja jeton prej 14 vitesh në Britani dhe gjendej në Shqipëri për pushime. Kur ndodheshin në kalanë e Beratit, vajza ka parë kalin dhe i ka kërkuar të atit ta prekë, por 63-vjeçari nuk ka qenë aty. Sapo i janë afruar kalit, ai është shfaqur duke ulëritur.
Edhe pse 42-vjeçari i ka thënë se di si të sillet me kuajt, Kristo Mema e ka ofenduar. Kjo bie ndesh me pretendimet e tij se ka qenë viktima e para që e ka fyer. Pasi Keli Hoxha i ka kthyer shpinën, ai e ka pështyrë. Sërish, 63-vjeçari ka deklaruar se këtë veprim e ka bërë i ndjeri.
Pasi 42-vjeçari është sulmuar me thikë, i ka kërkuar bashkëshortes të njoftojë ambulancën. Ajo rrëzon plotësisht versionin që ka qarkulluar se situata ka ndodhur për shkak se nuk është bërë pagesa. Më tej, thotë se nuk ka reagim për situatën e saj, ndërsa fëmijët që dëshmuan vrasjen e të atit, janë në gjendje shoku.
“Përshëndetje zoti Fevziu,
Unë jam Vjola Haxhia, bashkëshortja e Keli Hoxhës që u vra të martën në Berat. Fillimisht doja t’ju falënderoja shumë për çështjen që keni trajtuar edhe kohën që i keni kushtuar ngjarjes sonë.
Ne, familjarisht, kemi 14 vite që jetojmë në Britaninë e Madhe, kishim ardhur në Shqipëri për pushime dhe një nga destinacionet tona ishte vizita në kalanë e Beratit për t’ju mësuar edhe fëmijëve më shumë nga historia shqiptare.
Ne vizituam kalanë me familjen time dhe nënën e bashkëshortit, diku nga qendra e kalasë ishte një kalë i lidhur në shtyllë që vajza ime 8-vjeçare, Sevia, e pa dhe i tha babait të saj: ‘A mund të afrohem ta prek pak kalin?’ Theksoj që në atë moment kali ishte vetëm, nuk kishte të zotin aty. Keli, bashkë me vajzën, u afruan ta preknin kalin nga gusha, në atë moment shfaqet pronari i kalit duke ulëritur direkt që mos ta preknin kalin sepse acarohet. Burri i tha: ‘Mos u shqetëso, sepse unë jam rritur në fshat, ku kisha edhe kalë dhe di si ta trajtoj.’
Ai filloi të debatojë me bashkëshortin tim në një gjuhë shumë vulgare. Bashkëshorti im i tha se ishte në moshën e gjyshit tim dhe nuk po merrem të debatoj me ty. Theksoj se në ato momente Keli ishte dorë për dore me vajzën.
Ai u kthye me shpinë dhe u nis të vinte nga ne. Në atë moment ai e pështyu nga mbrapa burrin tim tri herë dhe e ofendoi nga familja. Burri im u kthye dhe iu afrua, por në sekondë direkt u kthye nga unë dhe, me dorë në bark, më tha: ‘Shpirt, njofto ambulancën se më vrau me thikë’, dhe ra në tokë i mbuluar me gjak. Aty kishte mbi 100 turistë që po shikonin dhe mund të keni mjaftueshëm dëshmitarë për ta konfirmuar.
Kam lexuar në disa media që u vra sepse nuk bëri pagesën. E kundërshtoj rreptësisht një lajm të tillë, sepse nuk bëri asnjë foto.
Pse mediat nuk flasin apo shteti nuk interesohet si janë fëmijët e mi? Që janë në shok, që mund të më ishte vrarë edhe fëmija me thikë në ato momente. Fëmijët janë në gjendje shoku. Nuk flenë, nuk hanë, nuk flasin.”
Viktima Keli Hoxha gjeti vdekjen sapo mbërriti në Spitalin Rajonal Berat.
Më 30 tetor, Gjykata e Shkallës së Parë në Berat vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 63-vjeçarin Kristo Mema alias Kastriot Oxhaj, i akuzuar për “vrasje me dashje”.
Në sallën e gjyqit, autori u shpreh i penduar dhe kërkoi falje familjarëve të viktimës për krimin e kryer.
Përmbledhje nga ngjarja
Pasi e vrau, 63-vjeçari shkoi në banesë, ka lidhur kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë, për t’i shpëtuar policisë. Sipas gazetarit Merin Maçi në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai thoshte se do të vetëdorëzohej.
“Nga ana e policisë dhe prokurorisë është insistuar përmes familjarëve, duke ngushtuar perimetrin ku ai mund të lëvizte, derisa u bë i mundur arrestimi. Pavarësisht se ai ka deklaruar se ishte nisur për t’u vetëdorëzuar, u arrestua në flagrancë.”
Autori u kap rreth pesë orë më vonë, i fshehur në “shpellën e memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.
Ai ka qenë me precedentë penalë, i dënuar në vitin 1994 për vrasje, por e shmangu dënimin pasi u arratis për 20 vite në Greqi duke i shpëtuar drejtësisë.
															
                                


