“Kushtetuta nuk i ndalon në mënyrë të shprehur koalicione ”, tha sot deputetja e PS-së Klotilda Ferhati në një emision televiziv.
Duke folur për ndryshimet kushtetuese për Kodin Zgjedhore Ferati tha se “Kushtetuta ka përcaktuar qartë se kush janë subjektet që propozojnë kandidatë për deputet në zgjedhjet e përgjithshme”.
“Çështja e debateve në lidhje se ka apo nuk ka koalicione është ezauruar, madje kemi thënë se që Kushtetuta nuk i ndalon në mënyrë të shprehur, por thjeshtë duhet të kuptohet se në një sistem me lista të hapura koalicionet, siç kanë ndodhur para ndryshimeve kushtetuese ku në një koalicion ishin disa parti dhe secila parti kishte listë me 140 emra, nuk mund të ndodhi, sepse vota parapëlqyese do jepet patjetër për një individ dhe nuk mund të ketë pafundësisht fletë dhe lista ku qytetari të jetë i konfuzuar kur ushtron të drejtën e votës. Sepse sistemet zgjedhore, siç e kanë thënë të gjithë ndërkombëtarë, siç janë standardet e mirënjohura me lista të hapura nuk i pranojnë dot koalicionet parazgjedhore si ato që ekzistonin para ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri”, tha Ferhati.
Ajo shtoi se sistemet zgjedhore mbi të gjitha kanë një elementë që duhet të jetë i dukshëm dhe i realizueshëm, duhet të jenë të thjeshta për tu menaxhuar në mënyrë që të mos të mbytet menaxhimi i zgjedhjeve nga procese të kota, letra me numërimin apo menaxhimet që kryhen në ditën e zgjedhjeve.
“Pra duhet t’u përshtatemi atyre që quhen standarde të pranuara të realizuara të sanksionuara nga standarde ndërkombëtare që tashmë ekzistojnë në vende si Shqipëria që kanë sistem zgjedhor me lista të hapura. Unë e mendojë që është kaq e qartë Kushtetuta dhe janë kaq të qarta ndryshimet që duhet të ndodhin në Kodin Zgjedhor sa ne nuk kemi pse humbim kohë dhe thjeshtë të vijojmë atë praktikë të mirë që kemi nisur që në marrëveshjen e 5 qershorit, ku bien dakord palët si brenda dhe jashtë parlamentit në lidhje me parashikimet e reja në Kodin Zgjedhor të cilat nuk do të bëjnë asgjë me shumë apo më pak, por të transferojnë parashikimet që ka Kushtetuta në Kodin Zgjedhor”, theksoi Ferhati.
Në lidhje me rezistencën e opozitë jashtëparlamentare për heqjen e koalicione parazgjedhore, Ferhati tha se demokraci funksionon me institucione, pra janë zgjedhjet, baza e demokracisë, por në fund janë institucionet e zgjedhura nga populli ato që vendosin.
“Kuvendi i Shqipërisë është institucioni legjitim për ndryshimet kushtetuese dhe jo vetëm ka përdorur të gjithë mekanizmat e duhur ligjor për të bërë atë që historikisht nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri, ku mazhoranca dhe opozitë bien dakord për të pranuar së bashku një propozim të opozitës parlamentare për hapjen e listave dhe është mbështetur nga mazhoranca në parlament. Por pavarësisht faktit se një institucion si Kuvendi ka të drejtën e vetë të ushtrojë tagrin sipas ligji dhe t’i përgjigjet interesit publik, ne kemi qenë të hapur për të diskutuar me opozitë jashtëparlamentare siç jemi dhe sot. Kemi kërkuar nga opozita jashtëparlamentare të sjellë opsionet e veta në tavolinë por nuk mundet që dialogu të kthehet në monolog. Pra nuk mund të qëndrojë në instikam asnjëra palë, por duhet të gjejnë zgjidhjen që i shërben interesit publik. Populli do zgjedhje me lista të hapura, populli përveç partisë do të votojë dhe një emër individi”, përfundoi Ferhati.