Trajneri i Bayernit, Hansi Flick, pas fitores prej 3 me 0 ndaj Lyonit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ka deklaruar se e dinin se sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje.
Bayerni siguroi plasmanin në finale të Ligës së Kampionëve ku do të përballet me PSG-në, të dielën, më 23 gusht.
“E dinim se do të jetë e vështirë, ata erdhën pas performancave fantastike ndaj Cityt dhe Juventusit. Janë shumë të mirë taktikisht dhe na shkaktuan probleme në fillim. E dimë se duhet të mbrohemi më mirë, e kemi thënë edhe më herët se nuk mund ta përballojmë që ta humbim topin lehtë, por e bëmë”, është shprehur Flick për Sky.
Ai pret një ndeshje të vështirë ndaj PSG-së, derisa ka theksuar se do të organizohen më mirë në mbrojtje.
“Parisi është ekip fantastik, luftuan shumë deri në gjysmëfinale për të arritur finalen. Do të analizojmë disa gjëra, e dimë se kanë lojtarë shumë të shpejtë. Do të shikojmë ta organizojmë mbrojtjen, por e dimë se arma jonë më e fortë është të vendosim kundërshtarët nën presion”, shprehet Flick.