Një festë madhështore u organizua në Laç nga kryetarja e bashkisë, Majlinda Cara, për fitimin e titullit kampion të Kategorisë së Parë nga kurbinasit.
Laçi kthehet në Superligë me petkun e kampionit dhe entuziazmi ishte i madh ndërsa bashkia organizoi një festë të veçantë, ku prezent ishte edhe këngëtari Jozi Marku.
Në një atmosferë festive, i gjithë ekipi i Laçit u ngjit në podium së bashku me kryetaren Majlinda Cara, e cila ngriti Kupën bashkë me kapitenin Kurti.
“Moment krenarie. Mbrëmë në Laç nuk u festua thjesht marrja e një trofeu. Festuam për shpirtin e garës dhe për karakterin e një ekipi që nuk dorëzohet kurrë, që mund të ‘rrëzohet’, por di të ringrihet më i fortë. Festuam për tifozërinë. Festuam për qytetin. Drejt sukseseve të reja në Superligë”, shkruan kryetarja Majlinda Cara në profilin e saj zyrtar.
Laçi arriti një fitore emocionuese në Korçë, duke mundur 1-0 Skënderbeun me gol të kapitenit Arlind Kurti të hënën dhe u shpall kampion i Kategorisë së Parë.



