Franca e ka akuzuar Britaninë e Madhe se po bën lojëra politike me të drejtat e peshkimit pas Brexit-it, pasi Londra refuzoi dhjetëra kërkesa për leje për peshkatarët francezë.
Në anën tjetër, Britania tha se është e hapur për diskutime të mëtejme me pronarët e barkave që u është refuzuar leja, duke shtuar se ata nuk kanë dorëzuar dëshmi të historisë së tyre të operimit në ujërat që nevojiten për ta vazhduar peshkimin në zonën prej 6 deri 12 miljesh detare.
Ministrja franceze për Çështje Detare, Annick Girardin, tha se Britania nuk është duke e respektuar marrëveshjen e Brexit-it. “Është një refuzim i ri nga britanikët për zbatimin e kushteve të marrëveshjes së Brexit-it, pavarësisht tërë punës që e kemi bërë së bashku. Peshkimi francez nuk duhet të merret peng nga britanikët për qëllime politike”, tha ajo.
Qeveria e presidentit Emmanuel Macron kërcënoi se do të marrë masa hakmarrëse. Jean-Pierre Pont, ligjvënës francez, tha se peshkatarët mund t’i bllokojnë kamionët për të mos e lejuar transportimin e tyre me trenat që shkojnë drejt Britanisë nëpër tunelin e Kanalit Anglez, shkruan Reuters.
Peshkimi dhe kontrollimi i ujërave britanike kanë qenë tema të nxehta gjatë referendumit të vitit 2016 në Britani për largim nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, peshkatarët e kanë akuzuar qeverinë se i ka “shitur” ata duke i lejuar barkat ndërkombëtare që ta vazhdojnë peshkimin në ujërat britanike.
Disa muaj më parë, Britania dhe Franca patën tensione mes vete për këtë çështje dhe të dyja shtetet dërguar anije patrulluese për shkak të protestës së peshkatarëve francezë, të cilët pretendonin se po përjashtohen pa të drejtë nga zonat e pasura me peshq.