Gjermania ka rritur kthimin e azilkërkuesve nga Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Moldavia dhe Serbia, aplikimet e të cilëve u refuzuan. Edhe më shumë emigrantë po kthehen vullnetarisht në shtëpi.
Dëbimet e azilkërkuesve u rritën me më shumë se një të katërtën në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, treguan të shtunën të dhënat nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë.
Rreth 7 mijë e 861 njerëz u larguan nga vendi midis janarit dhe qershorit, një rritje prej 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga të dëbuarit, 1 mijë e 664 ishin gra dhe 1 mijë e 375 ishin të mitur.
Rritja vjen pas rënies së numrit të personave të deportuar gjatë pandemisë COVID-19.
Emigrantët evropianë u kthyen në vendet e tyre
Statistikat treguan se shumica e emigrantëve u kthyen në Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Moldavi dhe Serbi, vendet e tyre të origjinës. Shumë nga të dëbuarit – 2,473 persona – u dërguan në kufirin me Austrinë.
Rregullat e Dublinit të Bashkimit Evropian për azilin thonë se kërkesat duhet të trajtohen nga vendi i parë në të cilin zbret një emigrant ose refugjat.
Numri i njerëzve që u larguan vullnetarisht nga vendi u rrit gjithashtu, me 4 mijë e 892 njerëz që pranuan fonde federale për t’u kthyer në vendin e tyre, dhe 2 mijë e 309 njerëz morën fonde shtetërore ose lokale.
Sipas ligjit, ata të cilëve u refuzohen kërkesat për azil ose të cilëve u ka skaduar viza ose leja e qëndrimit duhet të largohen nga Gjermania.
Autoritetet e imigracionit duhet të kryejnë dëbimin e tyre nëse nuk ka faktorë lehtësues si sëmundje ose arsye të tjera për pezullim të përkohshëm. Megjithatë, këto deportime shpesh dështojnë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në gjashtëmujorin e parë të vitit janë ndërprerë 520 tentativa dëbimi. Arsyet më të zakonshme ishin rezistenca nga ata që u dëbuan, refuzimi nga pilotët ose linjat ajrore për të transportuar të dëbuarin dhe refuzimi nga policia federale për t’i mbajtur ata në paraburgim.
Deri në fund të qershorit, 279,098 persona azilkërkues të dështuar, të cilëve u kërkohej të largoheshin, jetonin ende në Gjermani. Pothuajse 225,000 prej tyre kishin një Duldung (leje qëndrimi e toleruar), e cila ndonjëherë ofrohet pavarësisht se kërkesa e tyre për azil refuzohet.
Një raport në fillim të këtij viti tregoi gjithashtu se mijëra emigrantë të dëbuar ishin kthyer fshehurazi në vend.
Të dhënat e reja u kritikuan nga zëdhënësja e politikës së migracionit të Partisë së Majtë, Clara Bünger.
“Shumë shpesh, kjo i detyron njerëzit të kthehen në vendet ku përballen me luftë, varfëri ekstreme dhe mungesë shprese nën kërcënimin ose përdorimin e dhunës. Kjo është e papërgjegjshme”, i tha Bünger agjencisë së lajmeve EPD.
Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser dëshiron të forcojë rregullat për dëbimin dhe në fillim të këtij muaji, ajo paraqiti një draft dokument që do t’i jepte policisë më shumë kompetenca për të zbatuar kthimet.
BE po punon gjithashtu për reformat në sistemin e azilit, i cili do të përfshijë ndryshime në rregullat e dëbimit.