iku, në fundin e shekullit XVI, Skënder Skëndulaj, arriti të zinte poste të rëndësishme në administratën e lartë të Perandorisë Osmane.
Pasi përfundoi studimet në Universitetin e Stambollit, ai vazhdoi karrierën në kryeqytetin e Perandorisë, duke u ngjitur në majat më të larta të administratës perandorake në Egjipt e Bosnje. Prej andej, u kthye në vendlindje.
Me emrin e tij, lidhet edhe zanafilla e një prej familjeve më të njohura në Gjirokastër. Një prej familjeve më të spikatura feudale që, në pikënisjen e vet, pati rreth 100 hektarë tokë bujqësore, një rrjet të madh dyqanesh dhe me aktivitet intensiv tregtie me vende të ndryshme.
Kjo periudhë shënon edhe fillimin e historisë së banesës së famshme të kësaj familjeje, e cila edhe sot, 300 vjet më pas, përfaqëson një monument të vërtetë të kulturës, një simbol të trashëgimisë historike, arkitekturore, dëshmi e fuqishme e traditave më të njohura qytetare të kësaj zone.
Banesa e Skendulatëve, vizitohet sot me mjaft kuriozitet nga vizitorët dhe turistët e huaj. Përmes saj, ashtu sikundër edhe disa objekteve të tjera të ngjashme në këtë qytet, hyn në labirinthet e historisë dhe të të shkuarës së banorëve gjirokastritë.
Prej vitit 1700 kur është ndërtuar, ky objekt ka përshkuar shekuj, duke ardhur deri në ditët tona me një strukturë të qëndrueshme. Dhe mbi të gjitha me një histori shumëdimensionale, që prek dhe përfshin të gjitha aspektet.
-Nesip Skendulaj, ciceroni i pasionuar i historisë së banesës dhe familjes së vet-
Nesipi, që tashmë i ka kaluar të 70-at, përfaqëson familjen në mirëmbajtjen dhe administrimin e objektit. Ai i përket brezit të 5-të të të Skendulatëve dhe është krenar që i përket kësaj familjeje me emër, pavarësisht se, për shkak të kësaj jeta për të nuk ka qenë fort e lehtë gjatë periudhës së komunizmit.
Gjithsesi, ai e ka lënë pas atë periudhë kur, një pjesë e ëndrrave ju vranë. Dashurinë për shkollën, e kompensonte me leximin e librave. Kjo e ndihmoi të krijonte një kulturë të gjerë dhe të gjithanshme.
Sot, ai e përshkruan historinë e banesës dhe të familjes së tij, me mjaft thellësi dhe nivel, duke e zgjeruar dhe interpretuar në një kontekst më të gjerë të periudhave respektive.
Nesip Skendulaj, sot bën ciceronin e banesës në italisht, frengjisht, greqisht dhe, sigurisht, në shqip. Flet dhe e përshkruan gjithçka në detaje dhe me një pasion të dukshëm, që shfaqet në të folurën e tij dhe në gjeste. Shkallët e pjerrëta i njigjit si një 30-vjeçar. “Banesa e fisit Skendulaj, është një nga objektet simbol në Gjirokastër dhe duke u njohur me historinë e saj dhe të familjes, njeh edhe historinë dhe traditat qytetare të zonës, arkitekturën, jetën qytetare, organizimin e familjes patriarkale, ceremonitë, ritet etj ”,-shprehet ai.
Përpiqet dhe lodhet mjaft që, ta mirëmbajë banesën dhe të gjendet këtu në çdo kohë. Sepse vizitorët nuk mungojnë. Pavarësisht kushteve të shkaktuara nga pandemia, ka mjaft vizita. Sigurisht, nuk është fluksi i periudhave paraardhëse, veçanërisht viti i kaluar, që vlerësohet si më i suksesshmi në 3 dekadat e fundit. Por, gjithsesi edhe këtë vit ka patur të huaj, krahas vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit.
Të ardhurat kanë shkuar pothuajse të gjitha për mirëmbajtjen e banesës së madhe 3- katëshe, ku çatia e drunjtë dhe me rrasa guri, me një sipërfaqe prej 600 m2, kërkon një përkujdesje e ndërhyrje të kualifikuar.
“Në këtë shtëpi kam lindur e kam jetuar vitet e rinisë. Në vitin 1981, e konfiskoi shteti, përkundrejt një apartamenti të vogël që ju dha familjes”, tregon Nesip Skendulaj. Prej këtij viti(1981-shit), në banesën e familjes Skendulaj, u vendos Muzeu Etnografik. Madje, deri vonë, kjo godinë, e vlerësuar mes më të spikaturave në Ballkan në llojin e vet, është njohur me këtë emër.
Pas përpjekjeve shumta, pas viteve 90-të, banesa ju rikthye ish pronarëve, ndërkohë që, Muzeu Etnografik u vendos në një tjetër godinë pranë saj, që dikur i përkiste familjes Hoxha.
-Banesa në këndvështrimin arkitekturor historik-
Banesa e Skendulatëve, është e tipit kullë. Struktura e saj dhe organizimi i jashtëm dhe i hapësirës së brendshme, përfaqëson dhe reflekton periudhën historike kur është ndërtuar(fillim vitet 1700) që, përkon me momentin kur qytetet po zhvendoseshin gradualisht jashtë mureve të kështjellave, në afërsi të saj. Në këto kushte dhe në këtë këndvështrim, banesa është konceptuar edhe me funksionet e një fortese që do t’u garantonte familjarëve mbrojtjen e nevojshme në rast rreziku.
Përveç të tjerash, godina është e pajisur me një sistem frëngjish, përmes të cilave vëzhgohej dhe kontrollohej e gjithë hapësira përreth saj deri në një distancë të caktuar. Frengjitë e vendosura sipas një skeme funksionale, veçanërisht në hyrjen kryesore të banesës, në fasadë, nuk mungojnë as në murin rrethues.
Muret prej guri, me trashësi 1 metër, janë një element tjetër i projektimit të banesës edhe me funksionet e një fortese mbrojtëse, ndërkohë që, këtë karakteristikë e hasim edhe në organizimin e hapësirës së brendshme, veçanërisht në katin përdhes dhe në një pjesë të katit të dytë.
Në këtë këndvështrim, në katin përdhes ndodhet dhoma bunker, një mjedis i bollshëm me një kupolë dhe mure betoni, e llogaritur për të mbrojtur familjen nga gjuajtjet me top, apo nga lëkundjet sizmike.
Në fakt, vetë banesa, në tërësi është projektuar dhe ndërtuar për të përballuar lëkundjet sizmike. Kjo dallohet fare qartë në muret e qilarit të zahireve(ushqimeve), ku spikasin elementet prej druri të vendosura në planin horizontal në disa breza, me largësi prej së paku 50 cm nga njeri tjetri. Në terminologjinë arkitektonike, këto shtresa druri, të alternuara me strukturën e gurtë në një konfiguracion të çrregullt, amortizojnë goditjet sizmike. “Fakti që, përgjatë 300 viteve, godina nuk ka pësuar asnjë dëmtim për shkaqe sizmike, vërteton më së miri përllogaritjet e projektuesit dhe ndërtuesve, që janë mjeshtra vendas”, thotë Nesip Skëndulaj.
Përveç qilarit për ruajtjen e rezervave ushqimore dhe dhomës bunker, në katin përdhes ndodhet edhe depoja e madhe e ujit me një kapacitet 130 mijë litrash, së bashku me musllukun. Përmes një sistemi ulluqesh, ujërat e shiut përfundonin në këtë depo, duke siguruar ujin e pijshëm dhe për qëllime të tjera për nevojat e familjes, por jo vetëm. Një rubinetë e vendosur në murin e jashtëm pas godinës, ofronte mundësi furnizimi edhe për banorët e tjerë të lagjes, çka reflekton solidaritetin si dimension social të kësaj familjeje me emër. Por, pozicioni i rubinetit të brendshëm në një lartësi rreth 30 cm më të ulët, krahasuar me të jashtmin, teknikisht mundësonte që në rastet ekstreme, një sasi e caktuar e ujit të shfrytëzohej vetëm nga familja.
Konceptimi i katit të parë me këto mjedise shërbimesh, si edhe kuzhina e vendosur mbi dhomën bunker në katin e dytë, e mbuluar gjithashtu me një kupolë të betontë, mjaftonin që, nw raste sulmi, familja të kalonte aty një kohë të gjatë, duke patur rezervat e nevojshme me ushqime, ujë të pijshëm etj.
-Banesa si dimension social-
Në këndvështrimin arkitekturor, shtëpia e familjes Skendulaj, përfaqëson banesën tipike gjirokastrite, në fazën e hershme të zhvillimit të saj. Ajo është e tipit kullë, me çardak të hapur, një element mjaft i rëndësishëm në një objekt të tillë, në kontekstin e zhvillimit historik të banesës shqiptare në tërësi.
Çardaku ishte një hapësirë ku familja kalonte një pjesë të kohës, veçanërisht gjatë ditës. Konfigurimi dhe konceptimi i thyer i çardakut, që në terminologjinë e kohës, emërtohej edhe divan, çka ishte një huazim nga turqishtja, përcaktonte edhe mënyrën se si shfrytëzohej kjo hapësirë. Një kënd katërkëndor, me një lartësi të diferencuar nga pjesa tjetër, ishte edhe pjesa më e privilegjuar, ku rehatoheshin krerët apo më të moshuarit e familjes, por edhe miqtë, ku konsumonin kafe, çaj, apo asortimente të tjera. Nga ky kënd i banesës, pamja panoramike përballë saj deri në perspektivën më të largët të luginës, bëhej edhe më e prekshme.
Mënyra e ndarjes dhe organizimit të hapësirës së brendshme, në banesën e familjes Skendulaj, kushtëzohet dhe është e lidhur ngushtësisht me organizimin e vetë kësaj familjeje të madhe patriarkale. Mjafton të ndalemi tek konteksti statistikor, për të perceptuar rëndësinë që i kanë dhënë të parët e kësaj familjeje, shfrytëzimit të kësaj banese për të gjithë pjesëtarët e saj, në varësi të statusit të tyre social dhe pozitës në hierarkinë familjare.
Përmes saj, mësojmë mënyrën dhe shkallën e vlerësimit të femrës në raport me pjesën mashkullore, njihemi me ritet, me marrëdhëniet me komunitetin në tërësi.
Banesa ka 9 oxhakë, 12 dhoma, 6 banjo, 4 hamame, 44 dyer dhe 64 dritare. Këta tregues të bëjnë të kuptosh se banesa e madhe, ishte e bollshme dhe e mjaftueshme për të gjithë pjesëtarët e familjes dhe ofronte kapacitete akomodimi edhe për pinjollët kur ata rriteshin e martoheshin. Në dhomat me hapësira të bollshme të grave, të pritjes, apo në atë të burrave, ku merreshin vendimet më të rëndësishme, arredimi ishte në përputhje të plotë dhe perfekte me rregullat e funksionimit të familjes dhe ritet tradicionale. Kjo përfshin edhe pajisjen e tyre me tualete, apo hamame, të konceptuara me dy dalje, që mundësonin ruajtjen e intimitetit edhe në raste vizitash të papritura.
Kjo banesë, ndër më të njohurat në Gjirokastër, e pakrahasueshme ndoshta me të tjera të ngjashme në disa aspekte të caktuara, të befason. Të fut në dimensione sociale mjaft interesante dhe në disa realitete që, sot tingëllojnë tepër tërheqëse. Një dhomë plot ndriçim në katin e dytë, me oxhak për ngrohje, e pajisur me dritare të gjera, me drejtim nga nga lindja, që të krijon mundësinë të soditësh një pamje panoramike të mrekullueshme, ishte e përzgjedhur për çiftin më të ri të familjes. Kjo bëhej me qëllim që, dhëndri të argëtonte nusen e re dhe të dy së bashku të kalonin kohën duke shijuar veç të tjerash, hapësirën e pamatë të luginës.
Një tjetër dhomë, por në krahun e kundërt, me shilte dhe shtretër në të dy anët e oxhakut, ishte një mjedis për më të moshuarit. Dhomat e gjumit janë gjithashtu, të pajisura me oxhakë për ngrohje. Madje, oxhaku, si element funksional dhe social, përfaqësonte edhe shkallën e pasurisë dhe të vendit që zinte familja në shoqëri. Çdo oxhak taksohej dhe numri i lartë i tyre, ashtu si edhe i dritareve, përkthehej edhe në taksa më të larta.
“Qershia mbi tortë”, në këtë banesë është dhoma e burrave, e cila përfaqëson në vetvete edhe një hapësirë ku, mjeshtëria e ndërtuesve shtrihet në disa plane. Prej pak vitesh, përfaqësuesi i familjes Skendulaj, e ka izoluar dhe lejon në të vetëm vizita të selektuara, ose të kushtëzuara me mungesën e të drejtës për të bërë foto. Në vite, blicet e kamerave e kanë dëmtuar dhe zbardhur dekoracionin e pasur mural në këtë dhomë të stërmadhe, çka e detyroi të moshuarin të aplikonte masa paraprake për vizitorët. Ajo është një befasi e vërtetë. Një dhomë me përmasa të mëdha, e dekoruar me perde me dekoracion të pasur, me ornamente që i ndesh gjithandej. Një oxhak madhështor, ku përveç dekoracionit funksional dhe tërheqës, ndesh ornamente të jashtëzakonshme, të fton të ndalesh gjatë. Flakadanët e dy pishtarëve të pikturuar në të dy krahët e këtij objekti, apo elementë të tjerë estetikë e funksionalë, që kanë në bazë frutin e shegës, si simbol i jetës së shëndetshme dhe vazhdimësisë, i japin oxhakut, një veçanti që nuk e ndesh gjetkë. Një tavan i rëndë prej druri, me një dekoracion të dendur dhe që është përshtatur edhe me funksionalitetin e hapësirës së dhomës, sipas mënyrës së vendosjes së njerëzve në të, “i vë vulën”, madhështisë së kësaj pjese të banesës.
Është e vështirë që ajo të përshkruhet me detaje. Duhet ta vizitosh “live”, për të ndjerë ndjesinë që të përcjell ajo. Këtu merreshin vendimet më të rëndësishme. Këtu priteshin miqtë më të shquar për të diskutuar e lidhur fejesa e martesa. Dyshemeja e saj, e ndarë në dy nivele, me divane që qarkojnë gjithë perimetrin, përcjell mënyrën se si funksiononte kjo vendimmarrje. Ku në pjesën më të lartë, vendoseshin miqtë dhe kryetari i familjes, ku vendoseshin gjithashtu përballë njeri tjetrit, djali dhe vajza që do të lidheshin në fejesë e martesë etje etj.
Nesi Skendulaj tregon e tregon me pasion. Të duket sikur në atë dhomë sheh me sytë e imagjinatës, ceremonitë, sheh banorët e dikurshëm që diskutojnë, që marrin vendime, që takohen e përqafohen të gëzuar, që premtojnë, sheh nusen e ardhshme që tërhiqet nga kunata në hapësirat e brendshme të shtëpisë. Vështrimi qarkon muret e ngarkuara gjithandej me zbukurime e ornamente murale, të cilat, qoftë edhe si dimension estetik, krijojnë optimizëm dhe dashuri për jetën.
Duhet ta dëgjosh këtu zërin e ciceronit për të rrokur sadopak madhështinë e kësaj banese, që përfaqëson një nga familjet më në zë të Gjirokastrës e më gjerë.
Duhet të ngjisësh këto shkallë të betonta e të drunjta, për të prekur vizionin dhe profesionalizmin e ndërtimit dhe të zbukurimit të mjeshtrave popullorë, që kanë lënë pas një monument të gjallë të jetës shqiptare në shekuj./ATSH/






