Një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi të mërkurën, më 20 prill, një urdhër zyrtar për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me gjyqin për publikimin e dosjeve sekrete në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan.
Vendimi tani i takon ministres së Brendshme britanike, Priti Patel, megjithëse Assange ka ende mundësi që brenda 14 ditësh të apelojë çdo vendim për miratimin e ekstradimit.
Vendimi i 20 prillit e sjell sagën e gjatë ligjore që u zhvillua në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar më afër përfundimit.
Por avokatët e Assange janë zotuar se do të apelojnë çdo vendim që lidhet me ekstradimin e tij.
“Asnjë apel në Gjykatën e Lartë nuk është paraqitur ende nga ai në lidhje me çështjet e tjera të rëndësishme që ai ngriti më parë”, thanë avokatët e tij në një deklaratë muajin e kaluar.
“Ai proces i veçantë i apelit, natyrisht, ende nuk është nisur”, thanë ata.
Assange iu mohua leja për të apeluar në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër masave për ekstradimin e tij në SHBA, ku ai mund të përballet me burgim të përjetshëm. Uashingtoni dëshiron ta gjykojë atë në lidhje me publikimin e 500 mijë dosjeve sekrete ushtarake në lidhje me luftërat e udhëhequra nga SHBA-ja në Irak dhe Afganistan.
Në janar të vitit të kaluar, 50 vjeçi australian dukej se kishte fituar një pushim me arsyetimin se rrezikonte vetëvrasje nëse mbahej në izolim në një burg të sigurisë së lartë në SHBA.
Mbështetësit e tij më parë kanë argumentuar se shëndeti i tij fizik dhe ai mendor është prekur rëndë nga qëndrimi në një burg të sigurisë së lartë në juglindje të Londrës. Ai ka qenë mbrapa grilave sepse shihet si rrezik për arratisje, meqë më 2012 i ka ikur një dënimi me kusht, i cili lidhej me pretendimet se ka sulmuar seksualisht dy gra në Suedi. Assange ka qëndruar shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër./rel