Greqi-Turqi drejt marrëveshjes për valën e emigrantëve, “lehtësim vizash”

albnews
By
1 Min Read

Greqia dhe Turqia raportohet se janë në prag të një marrëveshjeje që do të institucionalizojë zgjidhjen për problemin e emigracionit, i cili është një plagë e hapur për të dyja vendet.

Sipas gazetës greke “Kathimerini”, diskutimet kanë si afat datën 7 dhjetor, kur në Selanik do të mbahet Këshilli i Samitit midis dy vendeve, në prani të kryeministrit Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) dhe presidentit turk, Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdogan).

Në diskutim është krijimi i përhershëm i një oficeri grek nga Rojat Bregdetare greke në Izmir dhe një oficer i Rojave Bregdetare turke në Mitilenë të ishullit Lesvos për të kuptuar më mirë rrjedhën e emigrantëve nga të dyja palët.

Gjithashtu në diskutim është aktivizimi i një kërkese të vjetër të Ankarasë për lehtësimin e udhëtimit të shtetasve turq në shtatë ishuj të Egjeut lindor: Rodos, Lesvos, Samos, Kios, Kos, Leros dhe Kastelorizo.

Shtetasit turq do të jenë në gjendje të udhëtojnë në këta ishuj kundrejt një vize me afat 12-mujor.

Memorandumi Greqi-Turqi do të përfshijë angazhimin e të dyja vendeve për të shmangur deklaratat provokuese, të cilat mund të cenojnë përpjekjet për raporte pozitive të kohëve të fundit.

Share This Article