Synim për kthim tek ideja e shkëmbimit të territoreve e ka quajtur ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla deklaratën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se “Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën”.
Në një reagim të sajin në Twitter, kryediplomatja Haradinaj ka thënë se nëse krahasohet në kontekstin e këtyre deklaratave, kjo ide duket si diçka më pak e rrezikshme.
“Kërcënimet dhe diskutimet që nuk përkojnë me realitetin, të cilat synojnë ndryshime kushtetuese për ta akomoduar të ashtuquajturën Republikë e Dodikut brenda Kosovës – në të vërtetë synojnë që idenë e ‘shkëmbimit te territoreve dhe kufijve etnikë’ ta kthejnë si diçka më pak të rrezikshme nëse krahasohet në këtë rrafsh”, ka shkruar ajo, duke shtuar se lajm i mirë është që të dy synimet do të dështojnë.
Lajçaku, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “Kushtetuta nuk është Bibël”.