“Jo thash unë me i lon fmijën jo, qita i kom thash, as s’kom gru as skom babë as non’ as, qita i kom kurqysh jo. e qeli gjyksin e i thom vram mu, fmija s’kanë faj.”
Hasan Shkrelit, ushtarët serbë, nga duart ia kishin marrë dy fëmijët, Rrahimin e Bukurijen.
Të dytë do të ekzekutoheshin pak minuta më vonë, sikur edhe 66 civilë të masakrës së 22 majit, me shumicën e viktimave që vinin nga kjo lagje e Vushtrrisë që tani njihet me këtë datë.
Eshtrat e djalit të tij, Rrahimit, sikur edhe të tjerëve nga kjo masakër ishin gjetur në varrezën masive të Batajnicës.
E vetmja për të cilën ende nuk dihet asgjë, është Bukuria.
Shkreli thotë se nuk i ka mbetur shumë shpresë për të marrë ndonjë lajm për të, tek shpreh mllefin me mosinteresimin institucional për këtë temë.
Atij i ka mbetur të merret me halle të ekzistencës, pasi tregon vështirësitë që ka pasi i kanë ndalur pensionin e pleqërisë.
Më 22 maj të 99-s, edhe Musli Melenica mbeti pa 5 anëtarë të familjes.
Tre vëllezër, djalin e tij dhe djalin e vëllait, ia kishin ekzekutuar forcat serbe.
Atij i kishte rënë hise që të angazhohet në dokumentimin e këtij krimi, por edhe me procesin e kthimit të eshtrave nga Batajnica, por tregon se ende nuk është bërë asgjë për të vënë para drejtësisë autorët.
Përveç krimeve që ndodhën në këtë lagje brenda qytetit të Vushtrrisë, në këtë komunë rëndë të prekur me viktima kanë qenë edhe rrethina, si fshati Studime.
Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Mitrovicës kishte dënuar serbin, Zoran Vukotiç, me 6 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte, më saktë, tortura ndaj shqiptarëve që ishin burgosur në burgun e Smrekonicës.
Por, nuk ishin gjetur prova ndaj tij në një proces të dytë, ku akuzohej për vrasjen e katër civilëve.