Ushqimi i servirur është bërë shkak për helmimin e studentëve në Akademinë e Sigurisë, në Tiranë.
Ngjarja u regjistrua pas konsumimit të drekës në ambientet e Akademisë së Sigurisë, ku 56 studentë shfaqën simptoma të forta helmimi, si të vjella dhe dhimbje barku.
Disa prej tyre u transportuan në spital, ku morën ndihmë mjekësore dhe trajtim me serume, ndërsa më pas janë rikthyer në akademi.
“Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore”, informon policia.
Pas ngjarjes, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësit e helmimit. Raportohet se dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Burime bëjnë me dije se në pranga kanë rënë kuzhinieri dhe teknologu i kompanisë së kateringut që furnizonte studentët me tre vaktet ditore, ndërsa në kërkim është shpallur administratorja e kompanisë, Alma Tafani. Shërbimi ushqimor në Akademinë e Sigurisë ofrohet nga një kompani private kateringu, e identifikuar si “Sori-Al”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe. Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast”, njofton policia e kryeqytetit.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2025 kompania “Sori-Al” rezulton fituese e 75 tenderave publikë, me një vlerë totale prej rreth 4.2 miliardë lekësh.
Për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që bën të ditur se ushqimi atje shkonte i gatshëm dhe prodhohej nga subjekti i kontraktuar në ambientet e “Garnizonit Skënderbej” që ndodhet në ambientet e Akademisë së Forcave të Armatosura.
AKU sqaron se janë marë mostra të ushqimit për tu analizuar në laborator ndërsa subjekti Sori-Al” është gjobitur me 100 mijë lekë.
“Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë. Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV. Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve”, bën me dije AKU.

