Aeroporti Nënë Tereza (më parë: Aeroporti i Rinasit) në Rinas është aeroporti i kryeqytetit dhe njëkohësisht i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë për fluturime civile. Çdo ditë nga Rinasi fluturojnë disa avionë të shoqërive të fluturimit drejt destinacioneve të Evropës dhe prej pikave të tranzitit për në disa qytete të tjera jo evropiane, por ne rrallë kujtohemi të pyesim se kur nisi historia shqiptare e fluturimeve?
Avionët e parë u shfaqën në Tiranë në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe i takonin forcave ushtarake Austro – Hungareze. Ata u ulën në vendin ku sot është Hotel Dajti, ndërsa Kulla e Sahatit u improvizua si kullë komande.
Më 1917, forcat ajrore Franceze stabilizuan linjën Selanik – Korçë, që fluturonte për qëllime ushtarake, por edhe transport civilësh të autorizuar. Më 1920, Avni Xhaxhuli, një shqiptar i diplomuar në Turqi si pilot, u mundua të ndërtojë një bërthamë ajrore ushtarake me dy avionë që kishin ngelur në Vlorë pas largimit të Italianëve.
Siç dëshmohet në shtyp, ai fluturoi me një prej tyre mbi Tiranë nga aerodromi i Shallvares. Por kjo nuk u përsërit më. Në vitin 1922 qeveria shqiptare bleu disa avionë për përdorim të brendshëm, por për shkak të keqpërdorimeve, nuk arritën të fluturonin.
Ndërkohë, në gjysmën e dytë të vitit 1924, Qeveria e Fan Nolit vendosi të japë me koncesion fluturimet e brendshme në Shqipëri, pas një kërkese të bërë nga shoqëria gjermane Lufthansa.
Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”. Në pranverën e vitit 1925, u ndërtua një fushë me bar me permasa 400 x 200 m në zonën e Shallvareve në Tiranë . Në këtë pistë të gjelbër filluan fluturimet e para ajrore të brendshme me destinacion qytetet e Shkodrës dhe të Vlorës.
Në gusht 1927 shoqëria “Adria Aero Lloyd” zgjeroi fluturimet dhe në qytetet e tjera në drejtim të Elbasanit, Korçës, Peshkopisë e Gjirokastrës dhe u hapën linja ndërkombëtare me Romën, Milanon, Selanikun, Sofjen, Beogradin, Podgoricën.
Në vitin 1934 filluan punimet për ndërtimin e Aeroportit të Tiranës (Laprakë), të cilat përfunduan në fund të vitit 1935. Ky aeroport , i cili mori emërtimin zyrtar Aeroporti i Tiranës, u ndërtua sipas parametrave optimalë teknologjikë të kohës, me pistë asfalto-betoni me dimensione 1200 x 400 m, shoqëruar me pajisje teknike e ndërtesa të përshtatshme.
Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.
Në fletëpalosjet e kohës, bëhen të ditura edhe tarifat. Çmimet më të ulëta ishin të itenerareve Gjirokastër-Vlorë dhe Shkodër-Tiranë, dhe kushtonin 10 franga ari, që sot përkthehen afërsisht në 100 euro. Më të shtrenjtat ishin linjat ndërkombëtare.
Për shembull, nga Tirana në Athinë bileta kushtonte 67 franga ari, nga Tirana në Romë 70 franga ari. Më e shtrenjta ishte bileta e linjës Tiranë-Trieste e cila kushtonte 86 franga ari, ose afërsisht 860 euro me kursin e sotëm. Në varësi të udhëtarëve, kishte edhe zbritje deri në 30%. Historia e linjave të brendshme në Shqipëri vijoi nga 30 Prilli i vitit 1925 deri më Shtator 1944. Pas kësaj date, transporti i brendshëm u ndalua edhe pse aeroportet e gjithë qyteteve, u ruajtën deri në fillim të viteve ’90 – të kur u rrënuan ose u mbushën me ndërtime.
Duke iur rikthyer historisë së fluturimeve, theksojmë se gjatë luftës së Dytë Botërore, gjermanët kishin nevojë për një pistë të re pasi ajo e Aeroportit të Tiranës ishte bombarduar nga aleatët dhe si e tillë nuk mund të përdorej më. Ata gjetën një terren të përshtatshëm në Rinas, prej nga nisën fluturimet luftarake. Po në atë fushë, në vitet 1955 – 1957, qeveria shqiptare vendosi të ndërtojë Aeroportin e ri të Tiranës, i cili vijon të funksionojë edhe sot.
Aeroflot, Jat, Malev, Tarom dhe Interflug, ishin kompanitë ajrore që operonin në Shqipëri deri në vitin 1960. Mbas vitit 1960 deri në vitin 1978, shoqëri të shumta ajrore ndërprenë operimet e tyre në Shqipëri, gjë e cila solli si rezultat një ulje të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve.
Gjatë kësaj periudhe u kryen disa përmirësime të shërbimeve në aeroport, ndërsa në vitet 80, si rezultat i zhvillimit të përgjithshëm teknologjik në fushën e aviacionit civil në të gjithë botën, edhe Shqipëria ndërmori një sërë përmirësimesh të shërbimeve të aeroportit në mënyrë që të përshtateshin me standardet e kërkuara ndërkombëtare.
Si rrjedhojë e ndryshimeve politike dhe sociale në Shqipëri gjatë viteve 1992 ‐ 2000, u rrit numri i fluturimeve dhe kompanive ajrore që operonin në Shqipëri. Duke u ballafaquar me nevojat për zhvillim të mëtejshëm, Tirana International Airport “Nënë Tereza”, i është nënshtruar gjatë 20 viteve të fundit, dy herë rikonstruksioneve me qellim zgjerimin dhe modernizimin e kapaciteteve manaxhuese dhe përpunuese të fluksit gjithnjë në rritje të fluturimeve dhe pasagjereve.
AEROPORTI I KUKESIT
Ndërkohë, aeroprtit ndërkombëtar të Rinasit i është shtuar Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ZAYED Flatrat e Veriut, që ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Gjatë krizës në vitin 1999, mbreti ZAYED i Emirateve te Bashkuara Arabe u veteofrua si financues per te ndertuar në Kukës një kamp modern për të ndihmuar refugjatët e luftës në Kosovë. Së pari, ata zhvilluan një pistë ajrore për furnizimet e ndihmave hyrëse në Kukës. Në atë kohë, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe paraqitën idenë për zhvillimin e aeroportit civil si një dhuratë për këtë zonë, e cila perfundoi ne vitin 2005 por që u vu në funksion të plotë 15 vite më vonë.
Projekti i aeroportit te Vlores (foto atsh)
AEROPORTI I VLORES
Por një tjetër aerporti i ri po i shtohet vendit, aeroporti i ri i Vlorës. Ndërtimi i këtij aeroporti lindi si nevojë e rritjes së fluksit të turizmit në rivierën shqiptare, që kulmon gjatë stinës së verës.
Projekti përfshin ndërtimin e një piste 3.2 km të gjatë, hangar për mirëmbajtjen e avionëve dhe shërbimin e ngarkesave. Ky aeroport pritet të mbulojë një numër të madh fluturimesh, kryesisht të karakterit turistik , me destinacion, plazhet e jugut, gjatë muajve të verës.