Historiani i njohur amerikan Daniel Jonah Goldhagen, në veprën e tij “Hitler’s Willing Executioners” (1996), në të cilën Holokaustin e paraqet si “projekt nacional gjerman”, mendon se kishte paralele dhe ngjashmëri në mes krimeve të Milosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës dhe përndjekjes së hebrenjve nga Hitleri.
Kur filloi spastrimi etnik nga trupat dhe policia serbe në Kosovë, sipas tij, qëllim politik ishte krijimi i “lebensraum” ose hapësirë jete për serbët. Si Hitleri ashtu edhe Milosheviqi krimet e tyre i bënë në emër të ideologjisë, e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët, nëse ata u dalin përpara në rrugë, shkruan KOHA.
Hitleri dhe Milosheviqi – vrasës në masë
Natyrisht, Goldhagen nënvizon se në ideologjitë e tyre ekzistojnë edhe dallime të jashtëzakonshme, dhe në atë çfarë kishte bërë Hitleri dhe Milosheviqi në luftën e Kosovës, por ngjashmëria qëndron në atë se të dy ishin vrasës në masë dhe të dy motivuan shumë njerëz për t’i mbështetur planet e tyre ideologjike.
Synimi i qarqeve politike dhe akademike për realizimin e projektit politik të Serbinë e Madhe nënkuptonte jo vetëm bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të madh, por, gjithashtu, edhe dëbimin e të gjithë e qytetarëve joserbë nga një shtet i tillë.
Ky obsesion bashkë me ideologjinë e viktimizuese është transformuar në armë ideologjike për legjitimimin e luftës në modifikimin me forcë të kufijve. Duke besuar se do ta blejë paqen, duke mbyllur sytë para suprimimit të autonomisë së Kosovës, Perëndimi nuk e parandaloi luftën dhe ambiciet e Milosheviqit, i cili më pas ia mësyu edhe Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Lufta u bazua mbi keqinterpretimin fantastik: agresori e shfaqte veten si martir ndërsa viktimat, shqiptarët, kroatët, sllovenët dhe boshnjakët paraqiteshin si përgjegjës për tragjedinë dhe prishjen e unitetit shtetëror. Duhej të ndodhte Srebrenica, Vukovari, Reçaku për ta kuptuar bota se makineria e Beogradit duhet të stopohej me forcën ushtarake. Dhe pikërisht për shkak të ndëshkimit që mori nga Perëndimi, qarqet politike, intelektuale, fetare dhe kulturore edhe sot provojnë ta kontestojnë vërtetësinë e këtyre ngjarjeve makabre duke dashur që përmes një narracion të kundërt t’i shmanget vetëdijshëm ballafaqimit kritik me të kaluarën. Provohet të mos ketë kujtesë për të kaluarën.
“Heroizmi” serb në justifikimin e krimeve në Kosovë
Dhuna dhe krimet në Kosovë e gjetiu justifikohen si një lloj heroizmi i popullit serb kundër “terroristëve” shqiptarë dhe komplotit ndërkombëtar. Kjo distopi serbe, duke heshtur në mënyrë permanente atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, apo duke deformuar realitetin, synohet që brezit t’i fshihet e vërteta, në mënyrë që ata të mos rriten me ndjenjën e fajësisë për krimet e prindërve apo gjyshërve të tyre.
Në mungesë guximit, distopia serbe i është rikthyer retorikës nacionaliste të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, mohimit jo vetëm të fajësisë, por edhe të rolit të viktimës dhe njëkohësisht edhe të mohimit të të drejtës për shtetësi të Kosovës, Malit të Zi dhe popujve të tjerë. Është e dukshme se Beogradi provon, që duke imituar rolin dhe ndikimin rus në ish-vendet satelite, ta rikthejë dominimin e dikurshëm në Ballkan.