Pas metropoleve britanike, padyshim vendi ku ndërrimi nga jeta e mbretëreshës Elizabeth II ka shkaktuar një përgjigje masive të popullatës, është Hong-Kongu.
Me mijëra kanë sfiduar temperaturat e larta për t’u mbledhur përballë konsullatës britanike, duke lënë aty buqeta me lule, portrete të mbretëreshës me dedikime falënderuese, dhe veçanërisht flamuj britanikë, mes të cilëve fshiheshin edhe flamujt e vetë Hong-Kongut, kur qyteti-shtet ishte koloni britanike, dhe një nga vendet më demokratike të Azisë.
Shumë ka ndodhur nga viti 1997, që kur britanikët rikthyen territorin që kishin pushtuar 156 vjet më parë si pasojë e vullnetit për të ndalur dhe njëkohësisht konkurruar Kinën në trafikun e opiumit.
Edhe pse formalisht autonom, hija e vullnetit të Partisë Komuniste kineze ka ndikim gjithmonë e më të madh, në çdo fushë të përditshmërisë.
Kështu, një pjesë e popullatës ka parë ngjarjen historike të vdekjes së monarkes 96-vjeçare si një moment proteste të heshtur, ku nga një anë ekzaltohet periudha koloniale që siguronte liri dhe një ekonomi perëndimore, dhe nga tjetra kritikohet në mënyrë indirekte regjimi kinez, që këto liri ia ka hequr Hong-Kongut.
Gjatë vitit, Pekini ka nxjerrë tekstet e reja shkollore për Hong-Kongun, që do të përdoren duke filluar nga viti i ri shkollor në shtator. Pothuajse e gjithë periudha 99-vjeçare ku qyteti-shtet ka qenë pjesë e kurorës britanike është censuruar në faqet e teksteve që i referohen studimit të një lënde të re të cilësuar si “Qytetari dhe zhvillim social”.