Në Shqipëri duket se nuk ka më nevojë të jesh ndërtues, arkitekt apo investitor me histori biznesi për të marrë leje për kulla shumëkatëshe. Mjafton të jesh personazh televiziv, mik i njerëzve të duhur dhe të gjesh ortakët e duhur politikë.
Emri më i fundit që po qarkullon në korridoret e betonit është ai i Donald Veshaj, i cili vetëm pak kohë pasi hyri në botën e biznesit, përfundoi duke aplikuar për një kullë gjigante në zemër të Vlorës.
Sipas dokumenteve të publikuara më herët nga media investigative, në mars 2024 u krijua kompania “DGC” shpk, me ortakë Donald Veshajn dhe Glenis Çobon, secili me nga 50% të aksioneve. Objekti i kompanisë: ndërtim, investime dhe pasuri të paluajtshme.
Pyetja që po shtrohet sot në publik është e thjeshtë:
Nga dolën milionat për një projekt kaq gjigant?
Sepse projekti për të cilin aplikoi kompania nuk është një pallat periferie. Bëhet fjalë për një kullë 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë, në një nga zonat më të shtrenjta të bregdetit shqiptar.
Por zhvillimi më i fundit që po qarkullon i jep historisë një tjetër dimension politik dhe familjar.
Kush është Glenis Çobo?
Sipas burimeve dhe informacioneve, bashkëthemeluesi i kompanisë, Glenis Çobo, rezulton të jetë dhëndri i biznesmenit Vullnet Sina, pronarit të rrjetit “Big Market” dhe njëkohësisht deputet socialist i qarkut Vlorë.
Pra, në sfondin e kullës shfaqet një tjetër lidhje me pushtetin politik dhe ekonomik të jugut.
Burime për JOQ pretendojnë se Glenis Çobo nuk njihet si biznesmen aktiv në fushën e ndërtimit dhe se ndaj tij ekzistojnë pretendime për borxhe të konsiderueshme ndaj personave privatë.
A kemi të bëjmë me investitorë realë, apo me emra fasadë për interesa shumë më të mëdha financiare e politike?
Sepse një kullë 33-katëshe nuk ndërtohet me famë televizive, story Instagrami apo humor “prime time”.
Në një vend normal, një figurë publike që kalon brenda natës nga reality show në mega-projekte ndërtimi do të ishte objekt hetimi financiar, në Shqipëri, bëhet “investitor strategjik”.

