Diskutimet për përgjimet e Antimafias italiane nuk munguan as në seancën e sotme plenare. Deputeti i opozitës Artur Roshi duke folur për dy akte normative, atë për ndryshimin e buxhetit 2020 dhe aktin normativ për përshpejtimin e procedurave për bonusin e qirave për banorët e prekur nga tërmeti, ironizoi se qeveria ka reaguar për mungesën e investitorëve të huaj në Shqipëri duke sjellë atë më të madhin, mafien.
Deklarata e Roshit:
Të majtë e të djathtë sot janë bërë të ndërgjegjshëm për një fakt të përbashkët se po keqqeverisen nga e njëjta qeveri. Nëse nuk je rilindas nuk merr dot asnjë të drejtë që të takon. Këtë tregon qartë dhe ky akt normativ që ndryshon buxhetin e 2020, në dukje për shpërblimin e fundvitit për pensionistët por në të vërtetë ka shqetësim pagesën e 200 milion lekëve për koncesionet e plehrave. Koncesionet e menaxhimit të plehrave janë një aferë e pastër korruptive ku janë paguar dhe vazhdojnë të paguhen paratë nga taksat e shqiptarëve pa ndërtuar ende stacionet e inceneratorëve të plehrave. Kjo pagesë në ditët e fundit të vitit tregon se qeveria është e lidhur ngushtë me aferat e njohura tashmë për çdo shqiptar, miliona euro të paguara kot në ermër të sipërmarrësve të cilët në rolin e investitorit kanë përfituar shuma marramendëse nga nënsipërmarrësit që ju kanë dhënë për këto koncesione. Ky akt normativ është një nga hallkat e maratonave normative të qeverisë përgjatë 2020 që tregon se qeveria po qeveris në gjendje urgjence. Aktet normative janë kthyer në metodë qeverisje që tregon se qeveria nuk mendon dot për gjatë dhe në mënyrë të qëndrushme por mendimi spontan që i vjen sot e kthen në akt normativ nesër. Ndryshimi i buxhetit 2020 për shumë herë tregon se qeveria nuk i menaxhon dot problemet që kanë shqiptarët por janë problemet që e menaxhojnë qeverinë duke e tërhequr atë zvarrë. Akti tjetër normativ për pagesën e qirave të familjeve të dëmtuara nga tërmeti pa afat të caktuar dhe pa një numër familjesh që përfitojnë nga pagesa tregon se qeveria është atrofizuar terësisht. Akti normativ sjell kosto të shtuar që paguhen në mënyrë të pakuptimtë nga taksat e pjesës tjetër të shqiptarëve. A kanë afate investimet e rindërtimit si çdo projekt tjetër normal që ka një fillim, një mbarim dhe vlerën e investimit të përcaktuar se kjo të çon te absurdi. A është bërë tender për rindërtimet? Po. A ka një afat dhe një mbarim të tyre? Nëse po, pse pagesat e qirave janë pa limit? Ministri i Rindërtimit pranon se 870 familje në çadra, po këta janë llogaritur në këto pagesa? Përgjimet e Antimafias Italiane tregojnë se qeveria ka reflektuar thellë për mungesën e investitorëv të huaj që mungojnë në Shqipëri. Pasi pastroi lekët e trafiqeve të ndryshme tani ka dashur të sjellë investitorin më të madh mafian.