Schurrle deklaroi se më nuk shijon futbollin dhe se për një periudhë të gjatë ka menduar t’i japë fund karrierës së tij
Ish-lojtari i ekipit të përfaqësueses së Gjermanisë në futboll dhe deri vonë sulmuesi i Borussia Dortmundit, Andre Schurrle (29) i tha lamtumirë futbollit aktiv.
“Dua t’iu them se karriera ime aktive ka përfunduar. Në emrin tim dhe në emër të familjes time dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtyre viteve fenomenale. Mbështetja juaj ka bërë gjithçka. Unë mezi pres sfida të reja”, shkroi Schurrle në profilin e tij në Instagram.
Schurrle në një intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel” deklaroi se më nuk shijon futbollin dhe se për një periudhë të gjatë ka menduar t’i japë fund karrierës së tij.
“Nuk kam më nevojë për duartrokitje”, ka thënë Schurrle.
Ai karrierën e futbollit e filloi si kadet në Ludwigshafener ndërsa në vitin 2016 nënshkroi me Dortmundin. Schurrle ka luajtur edhe për ekipet si Mainz, Bayer Leverkusen, Chelsea dhe Wolfsburg.
Gjatë sezonit 2018/2019 ishte në huazim në Fulham ndërsa këtë sezon luajti në Spartak Moska. Në nivel klubesh pati 420 ndeshje në të cilat shënoi 110 gola.
Schurrle për përfaqësuesen gjermane luajti 57 ndeshje dhe shënoi 22 gola. Në Kupën e Botës 2014 në Brazil u bë kampion me kombëtaren e tij Gjermaninë.