Manchester Unitedi, Interi, Shakhtari e Kopenhaga janë katër çerekfinalistët e parë të Ligës së Evropës, të cilët siguruan kalimin në raundin tjetër të mërkurën në mbrëmje.
Unitedi kaloi në çerekfinale pasi me rezultatin e përgjithshëm 7:1 fitoi kundër LASK-ut. Jesse Lingard dhe Anthony Martial e ndihmuan Unitedin të fitojë 2:1 të mërkurën, e që kishte dalë triumfues edhe në Austri me rezultatin e thellë, 5:0. Golin e vetëm për skuadrën e LASK-ut e shënoi Philipp Wiesinger.
Unitedi në çerekfinale do të luajë kundër Kopenhagës më 10 gusht, në Koeln të Gjermanisë.
Falë golave nga Romelu Lukaku dhe Christian Eriksen, Interi e eliminoi Getafen. Ish-sulmuesi i Unitedit, Lukaku 27-vjeçar, e realizoi golin e parë në ndeshje në mintuën e 33-të, pas pasimit të Alessandro Bastonit. Jorge Molina e pati mundësinë t’i barazonte shifrat në pjesën e dytë nga penalltia, pasi Diego Godin e preku topin me dorë brenda në zonë, por e ekzekutoi gabimisht 11-metërshin. Zëvendësuesi Eriksen një minutë pasi hyri në lojë, arriti të shënoi gol dhe vulosi rezultatin përfundimtar, 2:0.
Interi do të luajë kundër Bayer Leverkusenit apo Rangersit në “Final Eight”. Ekipin gjerman ka fituar ndeshjen e parë 3:1.
Takimi i Interit me Getafen ishte i vetmi. I pari nuk u luajt për shkak të pandemisë, andaj u zhvillua në terren neutral – në Gelsenkirchen të Gjermanisë.
Shakhtari shkoi tutje me fitoren 3:0 kundër Wolfsburgut të arritur në Kiev të Ukrainës, dhe me rezultat bindës të përgjithshëm, 5:1. Golat për Shakhtarin i shënuan Moraes, dy dhe Solomon. Kampioni i Ukrainës do të luajë tani me fituesin mes Baselit dhe Frankfurtit, në Gelsenkirchen, më 11 gusht. Kopenhaga që në çerekfinale do të luajë kundër Manchester Unitedit, e eliminoi Istanbul Bashakshehirin. Dy golat nga Jonas Wind dhe një tjetër nga Rasmus Falk ndihmuan ekipin danez ta përmbysë deficitin e një goli nga ndeshja e parë, dhe fitoi me rezultat të përgjithshëm, 3:1.