Sulmuesi kosovar Kemal Ademi po kalon formë të lartë. Ai ka shënuar katër gola në dy ndeshjet e fundit për Baselin.
Shtatlarti Ademi ka lënë prapa krizën e golave që e ka munduar gjatë në fazë të mëhershme të këtij edicioni.
Ademi ka treguar se Marco Steller e ka ndihmuar të kthejë formën. Streller është ish-drejtor sportiv i Baselit, që kishte transferuar Ademin para një viti. Streller po ashtu ishte sulmues shtatlartë dhe kishte bërë nam te Baseli.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm. Ai ka më shumë përvojë se unë dhe më jep këshilla. Unë e dëgjoj atë me kujdes”, ka thënë Ademi për Blick. Ai ka treguar se këshillat e Strellerit ishin të vlefshme sidomos në muajt kur nuk po shënonte gola.
Ademi, që me gjasë ka zgjedhur të luajë për Zvicrën, ka shënuar 13 gola dhe ka bërë katër asistime në 24 paraqitje në Superligën e Zvicrës këtë edicion. Në përgjithësi ka 15 gola e pesë asistime në 27 paraqitje.
Kohë më parë Federata e Futbollit të Zvicrës ka njoftuar se ka marrë leje nga FIFA që Ademi të luajë për ‘helvetikët”. Vlerësohet të jetë hap vendimtar drejt bashkimit të tij me Zvicrën. Ademi ishte kandidat edhe për përfaqësuesen e Kosovës.