Komisioni i Venecias nuk do ta trajtojë kërkesën e kryeministrit Kurti për një opinion në lidhje me pretendimet për tejkalim të kompetencave nga presidenti Thaçi për çështjen e mandatarit.
Komisioni ka vlerësuar se duhet respektuar dhe pritur vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që po ashtu e ka në shqyrtim këtë çështje. Kjo i është komunikuar kryeministrit në detyrë nga presidenti i Komisionit Evropian për Demokraci Përmes Ligjit, Gianni Buquichcio, si përgjigje ndaj kërkesës që ishte dërguar pas publikimit të Dekretit të presidentit dhe para vendimit për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese.
Në letrën e tij jepen arsyet e mosshqyrtimit të kërkesës ku, mes tjerash, përmendet fakti se rasti tashmë është duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shkruan KOHA.
“Unë e kam konsultuar Byronë e Komisionit të Venecias, nëse Komisioni duhet të merret me kërkesën në rrethanat aktuale. Ka pasur pajtim të plotë brenda Byrosë se organi më i përshtatshëm për t’u marrë me këtë çështje, që është në thelb çështje e interpretimit të Kushtetutës së Kosovës dhe jo e aplikimit të standardeve ndërkombëtare, është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, shkruan në letrën e presidentit të Komisionit. Ai më tej ka shtuar se nëse Komisioni do të ndërhynte, ekziston rreziku që të minohet autoriteti i Gjykatës.
“Komisioni nuk është në pozitën që të pajtohet me kërkesën tuaj. Kam besim se Gjykata Kushtetuese do të sigurojë një zgjidhje të kënaqshme për këtë çështje. Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve të Kosovës për të bashkëpunuar në çfarëdo çështjeje tjetër brenda kompetencave të saj”, thuhet në fund të letrës së Buquichcios.
Pas refuzimit të Komisionit një komunikatë e ka lëshuar edhe Zyra e Kryeministrit në detyrë.
“Pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka vepruar”, thuhet në njoftimin e tyre. “Ne e mirëpresim sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”.
Në vendimin për masën e përkohshme Gjykata Kushtetuese ka thënë se aktgjykimi i plotë do të nxirret deri në fund të këtij muaji. Përveç kontestimit të dekretit presidencial në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte dërguar kërkesë për opinion edhe Komisionit të Venecias.
Kurti pretendon se presidenti Thaçi i tejkaloi kompetencat duke e shmangur partinë fituese në mësymjen e tij që mandatarin t’ia kalojë partisë së dytë. Kjo është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese.