Kundërshtimi i Gjermanisë ndaj bllokadës që Greqia i ka bërë Shqipërisë për hapjen e kapitujve me BE-në, nuk po kapërdihet lehtë në Athinë. Media greke “Kathimerini” ka bërë një artikull të titulluar “Berlini, Edi Rama dhe prapaskenat”, duke analizuar faktin përse Kancelari gjerman Olaf Scholz mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe është kundër vetos që ka vendosur Greqia.
“Mbështetja e Kancelarit Olaf Scholz për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërkohë që ai ishte në dijeni të vetos greke që lidhet me betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, nuk ishte një rrufe në Athinë. Javët e fundit kanë mbërritur mesazhe nga Berlini dhe Uashingtoni që Athina duhet të tregojë se po negocion me Ramën. Përgjigjia nga Athina ishte e njëjta, që Fredi Beleri të betohet, të ketë një gjykim të drejtë dhe të respektohet prezumimi i tij i pafajësisë”, shkruan “Kathimerini”.
Sipas analizës, ekzistojnë 2 arsye përse Kancelari gjerman shprehu hapur kundërshtimin e tij ndaj Greqisë.
“E para ka të bëjë me investimin e vetë Shqipërisë në reformimin e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit në vend. SPAK-u, që nuk lejoi Fredi Belerin të betohet, është një organ i formuar me frymë anglo-saksone dhe financim e mbështetje gjermane. Prokurorët janë trajnuar në akademinë e FBI-së në Quantico në Virxhinia të SHBA-së, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar në Londër. Si për amerikanët, ashtu dhe për gjermanët, SPAK është shembulli më i suksesshëm i reformës në drejtësi në Ballkanin Perëndimor”, vijon Kathimerini, që shkon më tej duke shkruar se “as nuk e kuptojnë që (SPAK) mund të bëhet mjet shfrytëzimi politik dhe që nxjerr në pah kryesisht naivitetin e Perëndimit për situatën në Shqipëri”.
Sa i përket arsyes së dytë të kundërshtisë gjermane, sipas Kathimerini, është më së shumti politik dhe më pak teknik.
“Gjermania e kishte shprehur pakënaqësinë që në Gusht kur Kryeministri grek Mitsotakis organizoi samitin e Ballkanit Perëndimor në Athinë, me pjesëmarrjen edhe të Presidentit ukrainas, por nuk ftoi Kryeministrin Edi Rama. Disa javë më vonë në Tiranë u mbajt samiti i Procesit të Berlinit. Një arsye kryesore, që tregon gjithashtu përpjekjen shpesh të nxituar gjermane, është situata në Ballkanin Perëndimor pas Shkurtit të vitit 2022 të pushtimit rus në Ukrainë. Gjermania, e cila deri atëherë kishte hezituar, u kthye fuqishëm në anën e atyre shteteve që dëshirojnë integrim të shpejtë dhe të menjëhershëm (dhe pa shumë kushte) në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan ndër të tjera “Kathimerini”.
E përditshmja greke e mbyll artikullin duke thënë se në kampin shqiptar, qeveria mban tone të ulëta. “Një ditë më parë në një konferencë për shtyp, Kryeministri Rama e cilësoi Mitsotakisin mik dhe theksoi se sipas tij çështja Beleri mund të zgjidhet mes dy shteteve dhe jo përmes BE-së”, thekson Kathimerini.