Një ndër zanatet më të preferuara që siguronte të ardhura dikur ishte edhe këpucari! Por sot pak veta kanë mbetur në vendin tonë që e bëjën këtë zanat. Një 29-vjeçar nga Dibra, thotë se punon si këpucar dhe zanatin e ka trashëguar nga babai, por ai tregon se puna ka rënë për shkak të emigrimit të njerëzve dhe teknologjisë.
Është 29 vjeç dhe Astrit Ruçi nga fshati Gjoricë i Bulqizës nuk ka menduar si bashkëmoshatarët e tij për të emigruar.
Astriti ka vazhduar zanatin e babait të tij si këpucar.
Prej 40 vitesh babai i Astritit ka punuar si këpucar prej më shumë se 3 dekadash në fshatin Gjoricë e Sipërme.
29-vjeçari thotë se e ka me qejf këtë zanat por rënia e punës, pasi largimi masiv i njerëzve ka ndikuar edhe në këtë sektor.
Astrit Ruçi, këpucar: “E njoh tashmë si zanat, se e kam marrë. Por nuk ka aq shumë punë sa të punojmë dy veta këtu. Vetëm babai del. Dikur kishte punë shumë mirë, por tani që janë larguar të gjithë në emigracion, ka rënë puna, nuk rregullon njeri”.
Astrit Ruçi, thotë se me këtë punë që bënte babai i tij është rritur edhe vetë ai, ndërsa do të vijojë ta ushtrojë deri sa të mos ketë më punë fare.
Astrit Ruçi, këpucar: “Si zanat nuk është i keq. Të gjithë kanë dëshirë të punojnë në vendlindje të vet, por pa punë çfarë do bësh?! Tani që e zotëroj si profesion kur ta shikoj që të më jepet mundësia që do ketë punë, do ta ushtroj”.
Zanatet në vendin tonë janë pothuasje drejt zhdukjes, dhe një arsye e madhe e kësaj situatë është teknologjia e cila ka zëvendësuar punën e krahut.