Angela Merkel e ka bërë të qartë se do të tërhiqet nga politika me zgjedhjen e liderëve të rinj të vendit në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së vitit të ardhshëm. Por deri atëherë do të arrijë të krahasohet me ish-kancelarin Helmut Kohl, i cili kishte qeverisur vendin për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë. Ai kishte hyrë në histori pasi ia kishte hapur rrugën ribashkimit të Gjermanive.
Dhe Merkel do të donte që të lërë prapa vetes arritje të jashtëzakonshme në raportet e Gjermanisë me Kinën, dhe veprimet e Partisë Komuniste të Kinës janë kundër frymës së dëshiruar prej saj, vlerëson revista politike amerikane, “Foreign Policy”. Në analizën e gjatë vlerësohet se Merkel u ka dhënë përparësi marrëveshjeve të ardhshme krahasuar me vlerat morale, por ajo nuk është e vetmja që ka ndjekur këtë diskurs, shkruan “Foreign Policy”. Është raportuar me të madhe se Merkeli dëshironte të linte skenën politike me një samit të rëndësishëm ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Evropian në Leipzig, ku kishte studiuar fizikën në universitetin lokal, që atëherë kishte emrin “Karl Marks”, në mes të viteve shtatëdhjetë.
Merkel kishte menduar se do të kishte një takim të rëndësishëm me nënshkrim të marrëveshjeve ekonomike që do t’i shkonin në favor ekonomisë evropiane në raport me Kinën. Por nuk ishte e shkruar që të mbahej. Në vend të kësaj, për shkak të pandemisë, u shtrëngua që ta tkurrte takimin në një samit njëditor, madje virtual. Kina po përballet me presion të organizatave të të drejtave të njeriut për abuzimin e pakicave etnike e fetare, sidomos të ujgurëve myslimanë etnikë. Pekini zyrtar akuzohet madje për gjenocid ndaj ujgurëve. Ndërkohë Kina ashpërsoi fushatën epërsive kundër lëvizjes për demokraci në Hong-Kong pas aprovimit të ligjit të ri për sigurinë e ish-kolonisë britanike. Pekini zyrtar po kërcënon me aneksim ushtarak edhe Tajvanin.