Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njofton se gjatë qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka zhvilluar 17 takime bilaterale.
Kurti me anë të një shkrimi në Facebook tregon se është takuar me liderë e përfaqësues politikë nga Evropa dhe bota.
“Për dy ditë e gjysmë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla, zhvilluam 17 takime bilaterale e biseda me liderë e përfaqësues politikë nga Evropa dhe bota”, ka shkruar Kurti.
Konferenca e Sigurisë është një takim vjetor për politikën ndërkombëtare.
Gjatë katër dekadave të fundit, konferenca është bërë forumi më i rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve nga vendimmarrësit e politikave ndërkombëtare të sigurisë. Çdo vit kjo mbledh rreth 350 figura të larta nga më shumë se 70 vende të botës për t’u përfshirë në një debat intensiv mbi sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.
Lista e të pranishmëve përfshin krerët e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ministra, deputetë, përfaqësues të rangut të lartë të forcave të armatosura, shkencës, shoqërisë civile, si dhe bizneseve dhe medieve.