Autoritetet kosovare injorojnë kërcënimin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç i cili një ditë më parë në stilin e Putinit tha se Serbia do të befasojë me përgjigjen e saj nëse do të ketë pranim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Por fushatës së Kosovës për anëtarësim në NATO i vjen edhe një mbështetje nga Nju Jorku. Anëtari i dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Ritchie Torres tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të sigurohen që Kosova të pranohet në NATO si shtet anëtar
“Nevoja për anëtarësim në NATO nuk ka qenë asnjëherë më urgjente, për shkak të agresionit rus. Nëse presidenti nuk arrin ta përfshijë Kosovën në aleancën e NATO-s
Atëherë vende si Kosova mund të kenë të njëjtin fat si Ukraina dhe kjo është diçka që ne duhet ta parandalojmë me çdo kusht”, tha Ritchie Torres, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës e bën të qartë urgjencën në rritje që paraqet për aleancën transatlantike, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor. Ky qëndrim u shpreh të hënën nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të një kërkese për koment nga Zëri i Amerikës, pasi 19 anëtarë të Kongresit amerikan i kërkuan administratës së Presidentit Xho Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.
Edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Perëndimi nuk duhet të lejojë Rusinë që të përdorë luftën e saj në Ukrainë për të penguar përparimin e shteteve në Ballkanin Perëndimor. Escobar ka theksuar se SHBA-të dëshirojnë të jenë partnere të këtij rajoni në këto përpjekje.
“Ne duhet të shfrytëzojmë këtë shembull për të dyfishuar përpjekjet për të arritur marrëveshje kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalim veprime që kërcënojnë stabilitetin dhe përparimin në Bosnje-Hercegovinë”, tha Gabriel Eskobar, i dërguar i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
I ngarkuar i Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për gazetën konservative “Frankfurter Allgemeine Zeitung” vlerëson se Qeveria gjermane do të përkrahë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Gjermania e ka njohur Kosovën. Gjithsesi, ne angazhohemi që një shtet i njohur nga ne, të jetë anëtar i organizatave ndërkombëtare. Aq më tepër, si në organizatat e tilla siç është Këshilli i Evropës, që angazhohen për rritjen e standardit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, përfshirë edhe ato të minoriteteve në Kosovë”, u shpreh Manuel Sarrazin, i ngarkuar i Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Londër për të diskutuar për mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor.