Njësia e Veçantë e Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore. Nga të arrestuarit dy janë zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e një është biznesmen, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen
Efektivë të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, të asistuar nga njësi tjera të Policisë e në koordinim me Prokurorinë Speciale, më mëngjes kanë zbarkuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Ata kanë kryer bastisje e arrestime në lokacione të ndryshme, për aferën e furnizimit me vaj e miell, për rezerva shtetërore.
Autoritetet dyshojnë se, në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar pa u pranuar produktet. Pagesat e këtilla janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Aksioni filloi dje në orën 6 të mëngjesit.
Fillimisht janë bastisur vendbanimet e drejtorit të Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, e vendbanimi i drejtorit të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Pasi u janë bastisur shtëpitë, Gara e Lipovica me vetura të Policisë janë përcjellë në zyrat e MINT-it, ku ka vazhduar edhe për rreth 2 orë bastisja. Nga aty me pranga në duar si të arrestuar për korrupsion kanë dalë këta dy zyrtarë.
Një pjesë e policëve ka vazhduar qëndrimin në MINT, e më vonë kanë dalë me shumë dokumente të sekuestruara.
Në të njëjtën kohë, aksioni është zhvilluar edhe në banesën e biznesmenit Ridvan Muharremi. Ai është përfolur në publik për lidhje të forta me Vetëvendosjen, përfshirë edhe afërsinë me kryeministrin Albin Kurti.
Një numër takimesh me delegacione ndërkombëtare Qeveria i ka realizuar në restorantin e tij, me emër “Bukë e Zemër”.
Ky lokacion u bë adresë e fundit e hetuesisë për bastisje. Aty forca të shumta të Policisë qëndruan për rreth një orë.
Biznesmeni Muharremi u nxor me pranga në duar.
Avokati i tij, Mahmut Halimi, iu shmang pyetjeve konkrete të gazetarëve për dyshimet që rëndojnë mbi klientin e tij.
“Ende nuk kemi as dyshime. Me siguri se fjala është për lajmet e publikuara rreth importit të sasisë së grurit dhe vajit. Për këtë do të japim sqarime atje. Provat janë, kështu që gjithçka do të sqarohet”, është shprehur avokati Halimi.
Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate për media ka konfirmuar arrestimet dhe ka bërë të ditur se që të tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Sipas saj, të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Media online Nacionale ka raportuar më parë se Muharremi ka qenë ndërmjetës në blerjen e vajit dhe miellit për rezervat shtetërore. Sipas këtyre raportimeve, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, ka bërë presion tek zyrtaret që të paguajnë paratë ende pa u pranuar malli.
Hajdari për këtë çështje është deklaruar pasditen e së premtes, në një konferencë për media. Ajo ka mbrojtur zyrtarët e arrestuar e për biznesmenin Muharremi ka thënë se nuk e di se si ndërlidhet me këtë rast.
Hajdari ka pranuar se në qershor sivjet MINT-i ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se “3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar”.
“Nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, ndonëse do të kisha dashur të ndaja më shumë për ju, për shkak të ligjit mund të njoftoj se vetëm për 3 për qind të totalit të furnizimit kemi pasur vonesa më 2022, për të cilat vonesa më 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendëssekretari ynë, për inicim të procedurës gjyqësore”, ka deklaruar ministrja.
Ajo është pyetur se në cilat raste lejohet pagesa e mallit pa u pranuar malli. Hajdari ka folur për avancat. Ka cituar Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit përkatës.
“Te Ligji për Ndarjet Buxhetore, neni 13, paragrafi 5, lejon avancat 100 për qind nga ndarjet buxhetore të vitit aktual, që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës…”, ka cituar ajo këtë ligj.
Por, në të njëjtin ligj ka dallim në formulim. Aty thuhet që avanca mund të jepet për projekte para liferimit të pajisjeve. Vaji e mielli janë produkte ushqimore.
“Lejohen avancat deri në një qind për qind (100%) nga ndarja buxhetore e vitit aktual, për projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Avancat që kanë të bëjnë me projektet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës lejohen të mbesin të hapura edhe për vitet pasuese për ato projekte për të cilat liferimi i pajisjeve nuk mund të bëhet brenda një viti të rregullt fiskal”, thuhet në nenin e cituar nga ministrja Hajdari.
Ligji tjetër së cilit i është referuar Hajdari është ai i Prokurimit Publik. Ka përmendur nenin 3 të këtij ligji.
“Po ashtu Ligji për Prokurimin Publik të Kosovës, është neni 3, sa më kujtohet, që e mundëson pagesën në avancë kur është çështje e sigurisë”, ka thënë ajo.
Por, neni 3 i të njëjtit ligj flet vetëm për rastet kur përjashtohet procedura e prokurimit dhe aty nuk flitet fare për avanca ose jo në pagesa.
E te ligji për Rezervat Shtetërore thuhet saktësisht se secila blerje për rezervat shtetërore duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit publik.
“Çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik”, thuhet ndër të tjera në këtë ligj. “Nëse kontrata e prokurimit është me vlerë të madhe, njoftimi i kontratës publikohet në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik, dhe në gjuhën angleze në një gazetë ose revistë prestigjioze ndërkombëtare”.
Hajdari ka thënë së është shmangur prokurimi për shkak të krizës në furnizim e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Vlera e kontraktuar e mallrave për rezervë shtetërore ka qenë 10 milionë euro, ndërkaq sasia që dyshohet se nuk ka mbërritur është në masën 3 për qind.