Shumë mjekë gjermanë po japin dorëheqje nga spitalet publike në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës e po sistemohen në ordinanca apo klinika private.
E pikërisht kjo situatë për disa mjekë e profesionistë të tjerë shëndetësorë kosovarë mund të jetë e favorshme për ta lënë Kosovën e për të gjetur punë në spitalet shtetërore të Gjermanisë.
E paga atje është më shumë se pesëfish më e lartë se në Kosovë. Se Qeveria nuk po i del në krah kësaj kategorie, u tha të premten nga vetë Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi, ndërsa brenda 3 muajve të parë të këtij viti nga Kosova u larguan 62 mjekë.
Çdo dy ditë, Kosovës i largohet nga një mjek.
Veç në tre muajt e parë të këtij viti, vendeve evropiane ia kanë mësyrë 62 doktorë kosovarë, duke heçur kështu dorë nga puna e tyre në vendlindje.
Nga Oda e Mjekëvë konsiderojnë se këto largime po ndodhin ngase shteti nuk po bën asgjë për ta ndalur ikjen e trurit shëndetësor nga vendi.
“E dimë se çka u ka ofruar shteti këtyre profesionistëve. Sa i përket pagës, të githë janë të indinjuar, por një pjesë e madhe e tyre punojnë edhe në sektorin privat dhe mbulojnë nevojat. Por pas 10 viteve kemi me i pasë spitalet e mbyllura dhe injorimi i këtij problemi është çështja që më së shumti na brengos neve”, thotë Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve kosovarë.
Por, se këta mjekë po largohen nga Kosova nuk i bën aspak përshtypje zëvendëskryeministrit të vendit, Besnik Bislimi.
Madje Bislimi e bëri edhe gjetjen e vitit, duke zbuluar se përse mjekët po e lënë Kosovën.
“Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ka thënë Bislimi.
Bislimi e quajti mobilitetin vlerë evropiane, ndërkaq tha se Projektligji i Pagave nuk do t’ua rrisë pagën mjekëve gjashtë mijë euro në tentim për t’i bindur që të mbeten në atdhe.
“Mobiliteti është vlerë e BE-së. Politikat kryesore të OECD -së dhe Bashkimit Evropian janë për të rritur mobilitetin e fuqisë punëtore. Projektligji i ri s’do ta bëjë pagën e mjekëve 6000 euro që me thënë tash se s’ke nevojë me shku”, thotë Bislimi.
OMK-ja fajëson Qeverinë për ikjen e mjekëve
Deklarata e zëvendëskryeministrit të Parë, Besnik Bislimi, kanë nxitur reagimin e mjekëve.
Përmes një reagimi, Oda e Mjekëve ka thënë se deklaratat e Bislimit janë mohim i gjendjes.
“Në kushtet që punojnë mjekët kosovar, pasigurinë sociale të cilën e ballafaqojnë çdo ditë, vështirësitë nga më të ndryshmet, përfshirë këtu edhe rrezikshmëria në vendin e punës, të thuhet se mjekët kosovarë migrojnë në Gjermani për shkak se mjekët gjermanë braktisin Gjermaninë, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute njëkohësisht”, thuhet në reagim.
Sipas OMK-së, braktisja e mjkëve kosovarë ka disa arsye themelore, e ndër to janë kushtet e punës dhe paga.
“Neglizhenca dhe nënvlerësimi i vazhdueshëm institucional që i është bërë komunitetit mjekësor për vite me rradhë është shkak që sot vjen deri te injorimi i fakteve të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë, siç është zhdukja dhe absorbimi i jashtëm i personelit shëndetësor në përgjithësi. Braktisja e mjekësve kosovarë ka disa arsye themelore, e ndër to si më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe ato socio-ekonomike që kanë të bëjnë me lartësinë e pagës”, thuhet më tej në reagim.
Mjekët gjermanë po ua lëshojnë vendin doktorëve kosovarë
Mbi katër mijë mjekë kryesisht gjermanë u mblodhën të ejnjten në Frankfurt në një protestë ku kanë kërkuar kushte më të mira të punës. Mbi 400 klinika në Gjermani kanë pezulluar punën e tyre dhe operacionet e planifikuara, duke përjashtuar urgjencat.
Sipas sindikalistëve, kjo situatë ka detyruar shumë mjekë të lënë punën në klinika dhe të hapin ordinanca të tyre private, ose të punojnë si punonjës në ndonjë qendër të kujdesit mjekësor. E spitalet publike në Gjermani rrezikojnë që të mbesin pa profesionistë shëndetësorë.
Por, kjo situatë mund të jetë shumë e favorshme për mjekët kosovarë për t’u punësuar në Gjermani.
Sipas asociacionit Marburger, shumë mjekë po zgjedhin kontrata me “80 për qind”, të cilat u mundësojnë që të punojnë më pak orë dhe të bëjnë jetë më të qetë pas pandemisë.
Asociacioni ka kërkuar që rritja e pagës për mjekët të jetë 5.5 për qind gjatë këtij viti, si dhe kufizime në numrin e rasteve kur një mjek mund të jetë në “gatishmëri” derisa nuk është në detyrë.
Por çka deklarojnë mjekët kosovarë për deklaratat e Bislimit?
Leonard Bytyqi, kardiokirurg në QKUK i ka quajtur të gërditshme deklaratat e Bislimit për mjekët.
“Por unë po motivohem edhe më shumë mos me ikë prej këtij vendi, qoftë edhe pa pagë hiç, do të punojmë, e çifti i këtij edhe i plot tjerëve s’kanë me mujt me na gërditë atdheun”, thotë Bytyqi.
E ai mjek që sot vendos të qendrojë në Kosovë lirisht, mund të quhet hero, sipas doktorit Arbër Vokrri.
“Çdo minutë që mjeku kosovar e zgjedh me jetu në Kosovë është akt patriotik, e me siguri edhe heroik. Por dita-ditës këta heronj po rrallohen. E përmasa e ikjes së mjekëve kosovarë larg familjeve dhe vendit (rreth 1000 ndodhen në Gjermani) nuk shpjegohet me teorinë e mobilitetit të fuqisë punëtore. Thjesht, është zor me e bë heroin çdo ditë. Jo veç n’ballafaqim me dërrmimin psiko-fizik nga vëllimi i punës, as me përballjen me varfërinë, por dhimbja është e madhe kur mjeku detyrohet me u ballafaqu me cinizmin e politikanëve, mediave, gjykatave, deri te ai i shoqërisë në tërësi”, ka shkruar Vokrri pas deklaratave të Bislimit.
Kurse, mjeku tjetër, internisti Visar Berisha, thotë se deklaratat e Bislimit ia fyejnë inteligjencën.
“Përpjekja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me relativizu shkuarjen e personelit tonë mjekësor jashtë vendi me idiomën e fluiditetit kapitalist, është totalisht e pa krypë dhe fymje e intelegjencës. Njerezit po ikin kah kryet kambët, se ata para teje dhe ti tash nuk ofroni siguri e as perspektivë, djalosh!”, ka shkruar Berisha.
E, infektologia e QKUK-së, Jehona Krasniqi-Zhuti, habitet me krahasimin e Besnik Bislimit.
“Pra, zëvendëskryeministri Bislimi veç na e dha dritën e gjelbër me e lëshu personeli shëndetsor Kosovën se edhe në Gjermani ikin mjekët. Shumë normale për ta dukuria… Çfarë krahasimi”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se në tri vitet e fundit, kosovarët janë braktisur nga plot 538 mantelbardhë.
Ndryshe, sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro.
Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra. /Nacionale.com/