Është një nga ato fotografitë e rralla që e paraqet Pejën nën rrënoja, e cila i ngjan një qyteti fantazmash. Për fotografinë e shkrepur disa ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s në këtë qytet, fotografi italian Riccardo Venturi njëzet vjet më vonë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shpjeguar gjithë durim përvojën e tij prej fotoreporteri gjatë luftës së fundit.
Fëmijë të hipur mbi një tanks të shkatërruar, nëna që qanin për familjarët e vrarë, shtëpi të djegura ishin disa prej fotografive të realizuara në kohën kur flakët e luftës kishin përfshirë vendin cep më cep, shkruan sot Koha Ditore.
Të bëra qëllimisht bardhezi, këto fotografi janë bërë bashkë në ekspozitën “Kosovo – Thin Ice” që u hap mbrëmjen e së enjtes në mjediset e BKK-së në kuadër të “Javëve të Gjuhës Italiane në Botë” të organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.
“Unë u bëra bashkë me trupat e NATO-s që hynë në Pejë. Kur u shkrep kjo fotografi, gjithçka në qytet ishte e zbrazët, pa zëra, aq sa të krijonte përshtypjen e një qyteti fantazmash. Sado që kam mbuluar edhe luftëra të tjera nëpër botë, ajo në Kosovë ishte më e pazakonta”, ka thënë Venturi që asokohe kishte qenë fotoreporter. “Në njërën anë, tërhiqej një ushtri e në anën tjetër ktheheshin refugjatët”.
Por Venturi tashmë ka vendosur që këto fotografi të mos kenë vetëm funksione dokumentare. Më shumë se kaq, ai ka vendosur që të bëjë një ekspozitë artistike për t’i takuar dy kohë. Vitin e kaluar dhe sivjet, mu në njëzetvjetorin e misionit të tij gazetaresk, fotografi italian ka ardhur sërish në Kosovë. Jo për të raportuar për luftën, por për t’i takuar e intervistuar një numër të rinjsh që kishin lindur gjatë ose menjëherë pas luftës.