Gjasat e bashkimit rriten vetëm nëse rriten Shqipëria dhe Kosova si shtete funksionale, ka shprehur besimin Nezir Kraki. Ai thotë se popujt janë bashkuar më shumë se vetë shtetet.
Kraki është profesor i shkencave politike në Université Paris-Est Créteil të Francës. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka folur për atë që i bashkon shqiptarët veçmas në tragjedi. Por ka folur edhe për raportet e tashme e për ato që duhet të jenë mes të dyja vendeve.
“Gjasat e bashkimit nuk rriten sepse ndodhin zgjedhje apo sepse fiton e humb dikush. Ato rriten vetëm nëse rriten Shqipëria dhe Kosova si shtete funksionale, si mirëqenie dhe si krenari”, ka thënë Kraki. “Dy sisteme jofunksionale nuk guxojnë të bashkohen, sepse ndodh kolapsim total. Duhet të punohet së pari në bashkimin, ta quaj, filozofik, të mendësisë dhe të qasjes dhe kjo të ndodhë paralelisht me normalizimin e hallkave kryesore të shtetit… Nëse bëhemi shtete normale dhe funksionale, edhe bashkimi kombëtar, edhe integrimi evropian do të duken synime më realiste dhe njerëzit do të aderojnë në to apo do t’i refuzojnë duke qenë së pari mirë dhe krenarë me vendin e tyre”.
Ai ka komentuar edhe mbi debatet ndarëse dhe stigmatizuese mes lidershipit të të dyja vendeve, e për të cilat ka thënë se lindin zakonisht kur s’kanë shumë lajme të mira për t’ia ofruar opinionit. Ai ka treguar edhe nëse konteksti i ri – fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë dhe moshapja e negociatave Shqipërisë – mund t’i rrisë zërat për bashkim.
KD: Z. Kraki, çfarë flet solidariteti mes shqiptarësh, në raste sikur tërmeti që ndodhi të martën e kësaj jave në Shqipëri?
Kraki: Reagimi ynë pas tërmetit tragjik në Shqipëri e ilustron afërsinë që ne e ndiejmë për njëri-tjetrin, edhe pse historikisht gati kurrë s’kemi arritur të jetojmë të bashkuar. Solidariteti ynë në këtë rast është si ndihmë dhe empati brenda së njëjtës familje. Për një moment, ndasitë politike dhe gjeografike ranë në plan të dytë dhe i lanë vend ndjesisë së natyrshme që shqiptari, pavarësisht ku jeton, e ka brenda vetes së tij.