Partia Laburiste britanike po përballet me tensione të reja të brendshme pas humbjeve të rënda në zgjedhjet lokale në Angli, Uells dhe Skoci, ndërsa deputetja laburiste Catherine West ka paralajmëruar nisjen e një sfide për lidershipin e kryeministrit britanik Keir Starmer.
Në një intervistë ekskluzive për BBC, West deklaroi se nëse deri të hënën asnjë ministër i kabinetit nuk del për të sfiduar Starmerin për drejtimin e partisë, ajo vetë do të përpiqet të nxisë një garë për kreun e Labour.
Deputetja, e cila përfaqëson zonën e Hornsey dhe Friern Barnet në Londër, tha se preferon që kabineti të “ristrukturohet” dhe të nxjerrë një figurë më të aftë në komunikim për të drejtuar partinë, duke shmangur kështu një garë të plotë lidershipi.
“Ne nuk mund të vazhdojmë me figurën kryesore komunikuese të partisë që është Keir”, u shpreh West, duke argumentuar se Starmer ka pasur sukses në rindërtimin e partisë dhe politikën e jashtme, por ka hasur vështirësi në çështjet e brendshme dhe në rikthimin e votuesve tradicionalë laburistë.
Sipas saj, aktualisht rreth 10 deputetë janë të gatshëm ta mbështesin në një iniciativë për të hapur garën për drejtimin e partisë. Për të nisur zyrtarisht një sfidë lidershipi nevojitet mbështetja e 20% të deputetëve laburistë, ose 81 parlamentarë.
Reagime të ndara brenda Labour
Deklarata e West duket se ka shkaktuar surprizë dhe përçarje brenda radhëve laburiste. Sipas korrespondentit politik të BBC-së, Henry Zeffman, disa ministra e kanë cilësuar iniciativën si të papërgjegjshme, ndërsa të tjerë kanë mbajtur një qëndrim pritës.
Një ministër kritik ndaj Starmerit e përshkroi lëvizjen e West si “çmenduri”, ndërsa një tjetër deputet opozitar brenda partisë e quajti një “mision solo të papërgjegjshëm”. Megjithatë, disa figura të qeverisë janë shprehur të hapur për të parë se si do të zhvillohet situata.
Nga ana tjetër, ministri i kabinetit Nick Thomas-Symonds paralajmëroi kolegët të mos nxisin ndryshime në krye të partisë, duke argumentuar se ndërrimi i vazhdueshëm i liderëve krijon paqëndrueshmëri.
“Kam besim se Keir Starmer është kryeministri më i mirë për vendin tonë”, deklaroi ai për BBC Radio 4.
Starmer nën presion pas humbjeve zgjedhore
Presioni mbi Starmerin është shtuar ndjeshëm pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale, ku Labour humbi terren të konsiderueshëm, ndërsa Reform UK regjistroi fitore të mëdha në Angli.
Vetë Starmer pranoi më herët se Labour kishte bërë “gabime të panevojshme”, por përjashtoi mundësinë e dorëheqjes. Në përpjekje për të stabilizuar partinë, ai emëroi ish-kryeministrin Gordon Brown dhe veteranen laburiste Harriet Harman si këshilltarë, një vendim që ka shkaktuar reagime të përziera brenda partisë.
Sipas analistëve politikë britanikë, dita e hënë mund të jetë vendimtare për të ardhmen politike të Starmerit dhe stabilitetin e qeverisë laburiste.

