“Ne si opozitë i kemi të mbaruara detyrimet tona sa i përket kodit zgjedhor. Çdo gjë që vjen më pas është një punë e këshillit politik, ne kemi përfaqësuesin tonë aty që do ta ndjekë me devotshmëri”, u shpreh sot në një intervistë televizive kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Sipas saj, listat e hapura kanë qenë gjithmonë një demagogji për të larguar vëmendjen nga mungesa e punës, nga situata e tmerrshme ekonomike, nga problematikat e qeverisjes.
“Ne si opozitë kërkojmë lista të hapura 100% dhe shpresojmë që këshilli politik do ta miratojë. Të jeni të bindur, Rama nuk ka për ta pranuar kurrë këtë se do jetë kandidati më pak i votuar brenda Partisë Socialiste. Unë nuk mendoj që ky është problem, është një proces që do ecë”, tha ajo.
Duke folur për zgjedhjet e 25 prillit, Kryemadhi u shpreh se deri sot “nuk kemi një listë të përbashkët”.
“Kemi një Kod Zgjedhor që është shumë i qartë sa i takon koalicioneve. Në momentin që miratojmë listat e hapura, shohim cili do jetë hapi i dytë dhe ecim me radhë. Çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor do miratohet me konsensusin në këshillin politik”, u shpreh Kryemadhi.
“Është betejë për jetë a vdekje për fëmijët e shqiptarëve, do rrinë apo do ikin, ka ngelur vetëm shtresa e sakatëve, as shtresë të mesme nuk ka. Po iku shtresa e mesme normal që është betejë përfundimtare, për 50 vitet e ardhshme”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi tha se nuk ka një diskutim për një kontratë paraprake bashkëqeverisjeje me PD. Sipas saj, opozita ka 96 mandate si opozitë e bashkuar dhe katër, pesë i kanë ca të tjerë./ATSH/