Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë bashkëbisedimit me gra dhe vajza të njësisë 7 në Tiranë u bëri thirrje sot atyre të bëhen pjesë e politikës dhe LSI-së, jo thjesht për fasadë por për vendimmarrje.
“E di që është e vështirë. E di se pagat janë shumë të ulëta, e di se mundësitë janë shumë të vogla. E di se për shkencëtarët e rinj kërkimi shkencor është zero në Shqipëri, e di që për mundësitë e zhvillimit të projekteve janë zero në Shqipëri janë thjeshtë fasadë dhe modele grabitjesh parash, por di se ju me energjinë me mendjen me dijen që vijnë për shkak të investimit tuaj të madh të familjeve tuaja, do ta ktheni në investim kombëtar”, tha Kryemadhi.
Prandaj, vijoi ajo, “ju ftoj të gjitha grave dhe vajzave që të bëheni pjesë e politikës, jo vetëm me votë por pjesë e vendimmarrjes”. “Të kërkoni votën për veten tuaj, sepse Monika ka qenë përherë në krahun tuaj, sepse mendoj se sot është më e rëndësishme një inxhiniere e re, një doktoreshë e re, një pedagoge e re të drejtojë politikën sesa një Monikë e vjetër. Prandaj mua më keni në krah jam pjesë me ju, për të qenë me ju pjesë e lokomotivës për ta drejtuar të gjithë këtë strukturë jo vetëm të LSI-së në njësinë 7, por të shpërndajmë këtë energji pozitive tek të gjitha gratë e vajzat kudo”, tha ajo./ATSH/