“LSI zgjodhi që të dalë në një listë të vetme për të marrë dhe votat e socialistëve të zhgënjyer”, kështu u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjatë një interviste televizive ku theksoi se ndarja në dy lista të përbashkëta nuk dëmton opozitën.
“Që të jemi të sinqertë jam në kontakte të vazhdueshme me Lulzim Bashën. Drejtuesit e LSI në qarqe janë në kontakte të vazhdueshme me të deleguarit e PD. Duhet të rishikojmë pak stilistikën që përdorim për koalicionet. Është një koalicion që është opozita e bashkuar, që do t’i gjejmë emrin shumë shpejt dhe janë 1, 2 apo 3 lista janë detaj apo teknikalitete.
Janë kalkulime matematikorë që maksimizojnë votën”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se, “sigurisht që LSI do të dalë me një listë më vete, do të ketë listën e LSI, që do të jetë e regjistruar në fletën e votimit. PD do të dalë me kandidatët e saj, të përfshirë dhe partitë e tjera. Por mund të ketë dhe disa ekuacione, konkurrencën e njëri-tjetrit.
Është një lloj perceptimi që ndahen votat, janë dy gjëra të ndryshme. Nuk ka ndarje votash, sepse duke qenë një listë e hapur sepse është një koalicion i partisë politike”.
“Klasa politike, media, analistët merremi e kalkulojmë sesa vota merr Edi Rama, por nuk merremi se sa kanë humbur me Edi Ramën. Kjo është ajo çfarë na intereson ne. Unë kam sondazhet e mia. Nuk mund të ec me sondazhet që bën Carlo Bollino, por e heq se ndoshta është institucion që ja jep Edi Rama. Sondazh që më nxjerr 2% dhe unë mora 14%. E njëjta kompani, më nxjerr 1 % dhe marr 14%”, u shpreh ajo.
“Hyrja në një listë PD-LSI bën që të gjithë socialistët e zhgënjyer të rrinë në shtëpi. Dalja e LSI më vete jo vetëm që u jep shansin e mundësinë shumë socialistëve të zhgënjyer për të dalë e votuar, por pjesën më të madhe të administratës publike që sot ndihet e frustuar, kujtoni 30 qershorin 2019. Ne parti e majtë jemi. Në një qeveri me Sali Berishën shqiptarët fituan të drejtën për të lëvizur të lirë, në një qeveri me Edi Ramën shqiptarët e kuptojnë shumë më mirë se kush e ndalonte atë në makëturinë që është sot. Edhe vetë Edi Rama e pranon që 1 në 2 votues të rinj voton LSI dhe 1 partitë e tjera, synojmë votat e grave të vajzave, votat e të rinjve që duan të rrinë, të kthehen në Shqipëri që të ndërtojnë jetën këtu”, tha Kryemadhi.
Duke folur për një pikat e programit të LSI, atë të 5% të rimbursimit të faturës për çdo blerje, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha kjo nismë do të ulë informalitetin në vend.
Sipas raportit të CIA-s të para 10 ditëve xhiro reale e Shqipërisë shkon 15 miliardë dollarë. Këto para sipas Kryemadhit shkojnë për oligarkët dhe kjo nismë do të ulë informalitetin
“Ky është raporti i CIA para 10 ditëve i updetuar. Dhe thotë GDP e Shqipërisë, ekonomia informale është 15 miliardë dollarë. Ky është raporti i Bankës Europiane i 2020 për 2019 por për 2020 del në mars të 2021. Thotë ekonomia shqiptare është 50% informale. Pra do të thotë që minimumi 1.8 miliardë euro ose dollarë nuk futen në buxhetin e shtetit. Pra sheqeri që vjen i oligarkëve se kush e sjell sheqerin. Pse nuk e sjell ti me vapor, vajin pse se sjell ti me vapor. Miellin a e mbani mend që u mbyllën fabrikat e shqiptarëve këtu, pse se sjell ti me vapor apo me trailera. Kafen, orizin, ca prodhojmë ne? Tirana ca prodhon? Asgjë! Vetëm oligarkë prodhojmë ne. Dhe janë 1.8 miliardë dollarë të cilat nuk futen në buxhetin e shtetit dhe futen në xhepat e oligarkëve. Futen në xhepat e qeveritarëve. Futen në xhepat e disa policëve tatimorë. Sepse kur sheh një kafe lagjeje që nuk ka kupon tatimor i vë 1 milionë lekë gjobë. Ose më jep mua 1 milionë ti fus në xhep ose i fut gjobë”, përfundoi Kryemadhi.