Kryemadhi: Shkodra dhe Vlora do të bëjnë përmbysje spektakolare

 2,498 total views,  1 views today

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh e bindur sot se nga Vlora dhe Shkodra do të vijë dhe përmbysja e madhe më 25 prill. Madje, sipas saj, në këto qarqe, Kryeministri Rama ka kërkuar të bëjë diversion kundër LSI.

“Është si puna e garave që në 100-metërshin e fundit kërkon përgatitje fizike, mendore, politike në mënyrë të tillë që e gjithë struktura e LSI, liderët e saj të fokusohen në objektivin e tyre për të çuar qytetarët në kutitë e votimit. Sondazhet e fundit nuk janë sondazhe që tregojnë realisht se çfarë ndodh. Janë sondazhe që tregojnë gjendjen emocionale të qytetarëve. Ajo që është e rëndësishme, ne si LSI kemi qenë shumë të qartë që në momentin kur u miratua kodi zgjedhor në 30 korrik, që ne do të ishim në listë më vete, pasi përgatitja jonë ka nisur që në muajt korrik-gusht kur u pa era e ndryshimeve kushtetuese, për përgatitjen në terren dhe shpërndarjen në terren, influencën, ndikimin, lidhjet shoqërinë apo aty ku kanë kontribuar”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, sipas saj, një realitet tjetër është në Vlorë. “Unë dua të them që këto 2 qarqe jo vetëm do i sjellin humbjen Rilindjes, por do të bëjnë përmbysjen spektakolare të shumë gjërave”, tha ajo.

Ajo tha se do të jetë të shtunën në Vlorë në një takim spektakolar bashkë me Luan Ramën dhe të gjithë kandidatët e LSI të këtij qarku.

“Luan Rama është zëvendëskryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai ka ngritur gjithë atë punë që është bërë atje. Normalisht që gjithë thashethemet dhe gjërat e tjera që mund të ndodhin, janë sigurisht të subvencionuara nga grupe të caktuara, të cilat në njëfarë mënyre krijojnë edhe xhelozi”, u shpreh Kryemadhi.

“Për shembull një nga problemet qenka se përse Luan Rama nuk shaka Afrim Qendron apo Damian Gjiknurin. Gazetarët e thonë këtë që përse ama nuk shan këtë apo atë. Mendoj që është edhe një xhelozi tjetër përsëri e madhe që do të ishte një lloj hapësire për të denigruar apo për të krijuar një përçarje midis kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vlorë, duke pasur parasysh që numri dy është Grisejda Myslimi që është pedagoge në Universitetin Europian, që është një vajzë shumë e mirë, e jashtëzakonshme e pozitive, një vajzë e re me hapësira pa fund. Pra ka vetëm një thashethemnajë dhe nuk ka asgjë të vërtetë”, tha ajo.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •