Kufijtë e Evropës janë të mbushur me varre emigrantësh dhe refugjatësh të paidentifikuar, duke i lënë familjet e tyre të kërkojnë, shpesh më kot, për të vërtetën e asaj që ndodhi, kur dhe ku.
Në fshatin Sice në Kroacinë lindore, numri i të vdekurve është më i madh se të gjallët, 250 me 230.
Varrezat lokale përmbajnë varret e 247 banorëve dhe tre individëve të paidentifikuar. Do të kishte më shumë nëse Sice do të kishte varrezat e veta përpara viteve 1970; do të kishte edhe më shumë mes të gjallëve, nëse kaq shumë nuk do të ishin larguar në qytete të tjera ose jashtë vendit, në kërkim të një jete më të mirë.
Varret ofrojnë një përmbledhje të një jete – kush ishte personi, vendi të cilit i përkasin dhe të dashurit e tyre ende i vizitojnë.
Megjithatë, “NN” është përmbledhja e një tragjedie: nomen nescio, “Nuk ia di emrin.”
Kush janë këta tre persona emrat e të cilëve nuk dihen? Dhe si ndodhi që ata po prehen në Sice?
Emigrantë, thonë vendasit. Ata u mbytën në një lumë aty pranë. Është një vend i vogël, është një varrezë e vogël. Të gjithë dinë gjithçka.
Edhe nëse nuk e dini, është e qartë nga varret që të tre nuk i përkasin atij vendi. Ata janë varrosur larg pjesës tjetër, të shënuar me tre kryqe druri.
Autoriteti i varrezave thotë se arsyeja është lënia e hapësirës për më shumë varre të tilla “NN”, por përshtypja që një vizitor ka është se ata janë varrosur në njërën anë për të mos u përzier me vendasit. “Kështu ata nuk janë pengesë”, tha kryetari i një fshati tjetër ku emigrantë të paidentifikuar të vdekur janë varrosur gjithashtu në skaj të varrezave lokale.
Në Sice, këta tre varre janë të vetmit që nuk mirëmbahen. Pas disa vitesh, çdo gjurmë e tyre mund të zhduket.
Autoriteti i varrezave është i detyruar t’i varrosë kufomat e paidentifikuara, por jo t’i mirëmbajë varret e tyre përveç nëse ata janë persona me “rëndësi të veçantë historike dhe shoqërore”.
NN1, NN2 dhe NN3 kanë një rëndësi të veçantë vetëm për të dashurit e tyre, të cilët ndoshta nuk e dinë se ku janë ata. Ndoshta po presin që ata t’u telefonojnë nga Evropa Perëndimore. Ndoshta po i kërkojnë. Ndoshta i vajtojnë.
Megjithatë, s’duhet shumë punë për të kijuar një ide të të vdekurve pa emër.
Varret në qytetin boshnjak të Zvornikut janë të mbushura me bimësi dhe të pashënuara si duhet. Foto: Tina Xu
Herët në mëngjesin e ftohtë të 23 dhjetorit 2022, policia gjeti dy trupa në brigjet e Savës, lumit që ndan Kroacinë nga Bosnja dhe Hercegovina, Bashkimin Evropian nga pjesa tjetër e Evropës.
Sipas njoftimit të policisë, ata gjetën edhe një grup prej 20 shtetasish të huaj që kishin hyrë ilegalisht përmes lumit në Kroaci. Grupit i mungonte një person dhe, pas një kërkimi të gjatë, u gjet një trup, duke e çuar numrin e të vdekurve në tre.
Patologu i Spitalit të Përgjithshëm në qytetin e Nova Gradiskës ka shënuar kohën e vdekjes së të treve në orën 02:45 të mëngjesit, dy vdiqën nga hipotermia dhe i treti ishte mbytur.
Ndër sendet që iu gjetën me vete, ishin kartat e identitetit të lëshuara nga një kamp refugjatësh në Bosnje. Papritur, NN1, NN2 dhe NN3 kanë emra – Ahmedi Abozari, 17 vjeç, Basir Naseri, 21 vjeç dhe Shakir Atoin, 25 vjeç, të tre nga Afganistani. Policia tha se anëtarët e tjerë të grupit kishin konfirmuar identitetin e dy prej të vdekurve.
Pra, pse u varrosën si NN? Dhe pse u varrosën me kryqe, nëse ishte pothuajse e sigurt që ishin myslimanë? Dhe nëse familjet e tyre i kërkojnë, si do t’i gjejnë ata?
Autoriteti i varrezave tha se operon sipas lejes së varrimit të nënshkruar nga patologu, ku të vdekurit listoheshin si “NN”.
Patologu tha se ai i fut të dhënat në bazë të informacionit të dhënë nga policia.
Policia tha se një person është varrosur sipas rregullave të komunës lokale, në këtë rast Nova Kapela.
Kryetari Ivan Smit renditi kostot që komuna e tij kishte bërë për varrosjen e tre afganëve. Kushdo që dëshiron të rimbursojë komunën mund ta ndryshojë mbishkrimin, tha ai.
Një pengesë e tillë administrative nuk është e pazakontë kur bëhet fjalë për refugjatët dhe emigrantët që vdesin duke u përpjekur të arrijnë Evropën Perëndimore, sipas gjetjeve të Investigimit të Varreve Kufitare, të kryera nga një ekip prej tetë profesionistësh të pavarur nga e gjithë Evropa në bashkëpunim me The Guardian dhe Suddeutsche Zeitung dhe me mbështetjen e Journalism Fund dhe Investigative Journalism for Europe, IJ4EU.
Ndërsa nuk ka një bazë të dhënash të centralizuar evropiane për varret e emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë, ekipi konfirmoi ekzistencën e të paktën 1,931 në Greqi, Itali, Spanjë, Kroaci, Maltë, Poloni dhe Francë, që datojnë nga periudha 2014-2023. Nga ky numër, 1,015 janë të paidentifikuar, më shumë se gjysma e tyre – 551 – në Greqi, 248 në Itali dhe 109 në Spanjë.
Shifrat u grumbulluan bazuar në bazat e të dhënave të organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare, shkencëtarëve, autoriteteve lokale dhe varrezave, si dhe vizita në terren në 24 varreza në Greqi, Spanjë, Itali, Kroaci, Poloni dhe Lituani, të cilat vetëm përmbajnë 555 varre emigrantësh të paidentifikuar nga 2014 deri në 2023.
Këta janë vetëm ata që janë gjetur. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ICRC, vlerëson se 87 për qind e atyre që zhduken në kufijtë jugorë të Evropës nuk gjenden kurrë. Nuk ka vlerësime për rrugët tokësore evropiane.
Shumë pyetje, pak përgjigje
Dhjetori 2022, kur tre të rinjtë afganë vdiqën, ishte më i lagësht se zakonisht dhe lumi Sava ishte i lartë dhe vërshonte shpejt. Në të njëjtën zonë tre ditë më parë, pesë shtetas turq ishin zhdukur pasi varka e tyre u përmbys. Mes tyre ishin një burrë dhe një grua dhe dy fëmijët e tyre – një vajzë dhe një djalë dy dhe 12 vjeç.
Vëllai i të zhdukurit udhëtoi nga Gjermania në Kroaci për të mësuar se çfarë kishte ndodhur. Nga dokumentet që ka parë kjo gazetare, shihet se me ndihmën e përkthyeses Nina Rajkovic ka kërkuar informacion për të afërmit e tij të zhdukur nga disa rajone policore. Kërkimet e tij ishin të kota.
Ai donte të bënte një kallëzim për zhdukje personi, por oficerët e policisë i thanë se nuk kishte kuptim nëse personi nuk ishte regjistruar më parë në territorin e Kroacisë ose Bosnjës.
Raste të tilla nuk janë të rralla.
Në një rast tjetër, një i ri raportoi në polici si në Kroaci ashtu edhe në Slloveni se vëllai i tij ishte mbytur në lumin Kupa që ndan të dy vendet. Por zhdukja e vëllait të tij nuk u regjistrua në bazën e të dhënave kombëtare kroate të personave të zhdukur, e cila është e aksesueshme për publikun.
Edhe pasi disa trupa të paidentifikuar u gjetën në Kupa gjatë ditëve në vijim, policia nuk e kontaktoi burrin.
Në një shembull tjetër, një burrë afgan priti gjashtë muaj që Kroacia ta dërgonte trupin e vëllait të tij në Bosnje për varrim pasi ata u përpoqën të kalonin Savën në dhjetor 2022 dhe vëllai i tij u mbyt.
Ka shumë pyetje dhe pak përgjigje të qarta kur bëhet fjalë për çështjen e emigrantëve dhe refugjatëve të zhdukur dhe të vdekur në të ashtuquajturën “Rruga Ballkanike”, pjesë e së cilës është edhe Kroacia.
Nuk ka protokolle apo procedura të qarta që përcaktojnë se kujt dhe si duhet raportuar një person i zhdukur. Nuk dihet nëse të zhdukurit janë në kërkim aktiv, siç janë turistët kur zhduken në verë. Nuk është e qartë se sa dhe cilat informacione kërkohen për identifikimin.
“Qarkullimi i informacionit ndërmjet institucioneve dhe departamenteve individuale më duket pothuajse inekzistent”, tha Marijana Hamersak, e cila drejton projektin Regjimi Evropian i Emigrimit të Parregullt në Periferi të BE-së, ERIM, në Institutin e Kërkimeve Etnologjike dhe Folklorit në Zagrebi.
“Në një rast, m’u deshën më shumë se dy muaj dhe dhjetëra telefonata dhe imejle në adresa të ndryshme, komisariate, departamente policie, spitale dhe në prokurorinë e shtetit vetëm për të nxitur fillimin e identifikimit, i cili edhe sot e kësaj dite, më shumë se një vit më vonë, nuk është përfunduar.”
Vdis ose ëndërro
Grupi në Facebook “Të vdekur dhe të zhdukur në Ballkan” është bërë vendi ku familjet dhe aktivistët që shkëmbejnë foto dhe informacione për të zhdukurit dhe të vdekurit.
Ministria e Brendshme kroate nuk ka një faqe interneti në gjuhën angleze që mund të ofrojë një adresë në të cilën dikush nga Afganistani ose Siria mund të dërgojë një kërkesë për informacion ose të raportojë dikë si të zhdukur.
Nuk ka gjithashtu një bazë të dhënash rajonale për emigrantët dhe refugjatët e zhdukur dhe të vdekur që mund të lehtësojë bashkëpunimin midis policisë në vende të ndryshme përgjatë rrugës.
Dunja Mijatoviç, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, tha se është thelbësore të krijohet një bazë e tillë të dhënash, duke kombinuar të dhënat ante-mortem dhe post-mortem.
“Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre”, tha Mijatoviç në një intervistë.
Kur bëhet fjalë për mbajtjen e njerëzve jashtë kufijve, bashkëpunimi i policisë duket i pandërprerë.
Dëbimet dhe dhuna, të dokumentuara nga organizata të tilla si Amnesty International dhe Human Rights Watch, i kanë detyruar emigrantët dhe refugjatët të bëjnë kalime më të rrezikshme.
“Ke dy zgjedhje: të vdesësh, ose ta bësh ëndrrën tënde realitet”, tha një i ri maroken në Bosnje, i cili kishte tentuar 11 herë të kalonte në Kroaci, por çdo herë ishte kthyer pas nga policia.
Se sa vdesin saktësisht në Rrugën Ballkanike është e vështirë të thuhet.
Të dhënat më gjithëpërfshirëse për vendet ish-jugosllave janë mbledhur nga studiuesit e ERIM, të cilët kanë regjistruar 346 viktima ndërmjet viteve 2014 dhe 2023 në Kroaci, Bosnjë, Serbi, Slloveni, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, duke përdorur të gjitha burimet e disponueshme – raportet e mediave, dëshmitarët, të dhënat zyrtare, kanalet e aktivistëve.
Por shifra reale është pothuajse me siguri më e lartë.
Disa që u zhdukën nuk u regjistruan asnjëherë; shumë trupa nuk u gjetën kurrë.
Vargu malor Stara Planina midis Bullgarisë dhe Serbisë, për shembull, është një terren i ashpër dhe i paarritshëm. Vetëm ata që janë shtyrë për ta marrë këtë rrugë do të ndeshen me trupat e atyre që janë nisur më parë aty dhe nuk do të rrezikojnë të takojnë autoritetet për t’i raportuar trupat që kanë parë.
Nëse njerëzit vdesin në fushat e minuara të mbetura nga luftërat në Kroaci dhe Bosnje, nuk do të mbetet shumë nga truat e tyre. Shumica e viktimave u gjetën të mbytur në lumenj, por nuk ka asnjë vlerësim se sa nga ata që u mbytën nuk u raportuan kurrë të zhdukur.
Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme kroate, 87 vdiqën në territorin kroat midis vitit 2015 dhe nëntorit 2023. Të paktën, kaq u gjetën.
Asnjë organ i vetëm zyrtar në Kroaci, Bosnje apo Serbi nuk mban të dhëna për emigrantët dhe refugjatët e varrosur në territorin e tyre.
Për këtë artikull, u dërguan pyetje në mbi 500 adresa të autoriteteve të qytetit dhe komunave në Kroaci dhe kompanive komunale që menaxhojnë varrezat. Bazuar në përgjigjet, ka 59 varre emigrantësh dhe refugjatësh në 32 varreza në Kroaci që datojnë nga viti 2014 deri në shtator të këtij viti. Prej tyre, 45 nuk janë identifikuar. Ministria e Brendshme tha se që nga viti 2001, nga të gjithë trupat e paidentifikuar janë marrë kampione ADN-je. Ministria refuzoi një kërkesë për intervista me ekspertë që punojnë në identifikimin e emigrantëve dhe refugjatëve.
Disa nga të varrosurit janë zhvarrosur dhe janë kthyer te familjet e tyre në vendin e tyre të origjinës. Por ky është një proces i vështirë dhe i kushtueshëm për të afërmit.
Ndër varret NN është ai i një foshnje të vdekur nga një nënë siriane, e varrosur në vitin 2015 në qytetin lindor të Slavonski Brodit; një vajzë pesëvjeçare e mbytur në Danub u varros në qytetin lumor të Daljit në 2021; dhe verën e kaluar, një i ri vdiq nga lodhja në malet e zonës së Dubrovnikut.
Disa viktima u shtypën nga treni. Shumë vdiqën nga hipotermia. Disa vdiqën sepse ndihma mjekësore nuk mbërriti në kohë. Disa humbën shpresat dhe kështu vranë veten.
Sipas ligjit, ata varrosen më afër vendit të vdekjes, kryesisht në varreza të vogla si ajo në Sice. Dhe ashtu si në Sice, varret e tyre shpesh janë të ndara nga pjesa tjetër e popullsisë së varrezave.
Në disa vende, si Otoku në Kroacinë lindore, një grua vendase ka marrë përsipër të kujdeset për varrin NN në varrezat lokale; por në Prilisce, në kufirin me Slloveninë, një kryq NN nga viti 2019 tashmë ka filluar të kalbet.
Të ngecur midis dëshpërimit dhe shpresës
Në psikologji, “humbja e paqartë” është ajo që një person mund të ndiejë kur një i dashur humbet, por nuk konfirmohet i vdekur, kur eshtrat e tyre mungojnë dhe ata që kanë mbetur pas nuk mund të vajtojnë. Vazhdimi i jetës krijon ndjenja faji. Dhe kështu ata mbeten të ngrirë në një gjendje mes dëshpërimit dhe shpresës.
“Një varr është shumë i rëndësishëm sepse ndihmon për të thënë lamtumirë”, tha dr. Pauline Boss, e cila zhvilloi teorinë e “humbjes së paqartë”.
Ka edhe pasoja praktike: të drejtat e trashëgimisë nuk mund të zbatohen, llogaritë bankare nuk mund të aksesohen, pensionet familjare nuk mund të merren, partneri nuk mund të rimartohet dhe kujdestaria e fëmijëve është e ndërlikuar.
Humbja e paqartë nuk është e panjohur për Kroacinë dhe Bosnjën, të cilat të dyja kaluan nëpër luftëra në vitet 1990 që lanë mijëra njerëz të zhdukur.
Të dy vendet kanë ligje të veçanta për personat e zhdukur dhe mekanizma të zhvilluar mirë të kërkimit, identifikimit, ruajtjes së të dhënave dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Por kjo nuk vlen për emigrantët dhe refugjatët që zhduken dhe vdesin mes mijërave që janë në lëvizje përgjatë Rrugës Ballkanike.
Midis shtatorit 2015, kur Hungaria mbylli kufirin e saj, dhe marsit 2016, rreth 660,000 njerëz kaluan Kroacinë përgjatë një korridori midis Greqisë dhe Evropës Perëndimore që i lejoi ata të kalonin në dy ose tre ditë. Kroacia nuk regjistroi asnjë vdekje të vetme mes emigrantëve dhe refugjatëve në vitin 2015 ose 2016, megjithëse në atë kohë kishte disa raportime për humbje jetësh.
Qeveritë, megjithatë, mbyllën dyert në mars 2016 kur BE-ja arriti një marrëveshje me Turqinë, duke paguar Ankaranë për të mbajtur emigrantët dhe refugjatët në tokën e saj.
Kalimet vazhduan, por në një mënyrë shumë më të rrezikshme.
Organet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar taktika të dhunshme, të tilla si kundërpërgjigjet e përdorura nga policia kroate, ose ato që ministri i brendshëm Davor Bozinoviç i quajti “teknika dekurajimi”.
Kur policia kroate udhëzoi një familje afgane që të ndiqte linjën hekurudhore për t’u kthyer pas në Serbi në mes të natës në vitin 2017, 6-vjeçarja Madina Hussiny ndërroi jetë pasi u shtyp nga një tren.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në nëntor 2021 se Kroacia ishte përgjegjëse për vdekjen e saj.
Në mënyrë tipike, policia transporton njerëz në pika të veçanta përgjatë kufirit dhe i urdhëron ata të largohen nga Kroacia.
Emigrantët dhe refugjatët që detyrohen të kthehen pas në një mënyrë të tillë kanë përshkruar ecjen ose notin nëpër lumenj, kacavjerrje mbi shkëmbinj ose ecje nëpër pyje të dendur. Ata shpesh kalojnë natën, herë pa rroba dhe pa e ditur rrugën sepse policia u ka marrë telefonat.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare në vitin 2019, më shumë se 80 për qind e të gjitha kthimeve nga policia kroate mund të kenë përfshirë një ose më shumë forma dhune.
Këshilli Danez për Refugjatët tha se të paktën 30,000 njerëz u kthyen në Bosnje nga Kroacia midis fillimit të vitit 2020 dhe fundit të 2022.
Mes tyre ishte edhe 20-vjeçari Arat Semiullah nga Afganistani.
Ëndrrat “varrosur në Evropë”Varret në varrezat në fshatin Sice në Kroacinë Lindore
Në nëntor 2022, Semiullahu u përpoq të kalonte Savën midis Bosnjës dhe Kroacisë, por u mbyt dhe u varros në varrezat ortodokse në qytetin verior të Bosnjës, Banja Luka. Familja e tij nuk dinte asgjë. Kontakti i fundit që ata patën me Semiullahun ishte kur ai i dërgoi nënës së tij një foto me modelin e ri të flokëve që kishte bërë një ditë para se planifikonte të kalonte kufirin.
Në Gjermani, një kushëri, Payman Sediqi, kontaktoi Nihad Suljiçin, i cili vullnetarisht ndihmon familjet të gjejnë të dashurit e tyre në Bosnje. Sediqi udhëtoi për në Bosnje dhe arriti të mësojë se çfarë i ndodhi Semiullahut nga një police, e cila i tregoi atij fotografi mjekoligjore të trupit të tij. Nëna e Semiullahut e identifikoi djalin e saj me anë të telefonit. Një nekrologji e botuar në Bosnje thoshte se policia kroate kishte qëlluar varkën ku ai ishte “dhe se ai ishte mbytur tragjikisht”.
Me ndihmën e komunitetit lokal mysliman dhe me kërkesë të familjes, trupi i Semiullahut u transferua në varrezat myslimane në fshatin Kamicani. Ishte shumë e shtrenjtë dhe e komplikuar ta ktheje atë në Afganistan.
Në shtator 2023, një gur varri u vendos në varrin e Semiullahut, me mbishkrimin, “I mbytur në lumin Sava ndërsa përpiqej të arrinte në Evropë”.
Semiullahu po e kalonte lumin Sava me një grup, por policia kroate hapi zjarr ndaj gomones së tyre, i tha Sediqit një nga të mbijetuarit. Ndërsa disa arritën të kalonin në anën tjetër, Semiullahu u mbyt.
Sediqi tha se pavarësisht dhimbjes së humbjes së tyre, familja të paktën e dinte se ku prehet trupi i tij dhe se ai ishte varrosur sipas zakonit islam. Ai tha se ishte gjithashtu e drejtë që guri i varrit thotë se ai vdiq duke u përpjekur të arrinte Evropën.
“Njerëzit vdesin çdo ditë në Evropë, ndërsa largohen nga vendet ku nuk ka më jetë për ta”, tha ai. “Ëndrrat e tyre varrosen në Evropë. Askujt nuk u bëhet vonë për ta, as kur policët evropianë qëllojnë mbi ta.”
Sediqi kishte një ëndërr të tillë. Ai udhëtoi ilegalisht në Gjermani në moshën 16-vjeçare dhe e di që ishte me fat që ia doli mbanë.
Në qytetin e Zvornikut në kufirin e Bosnjës me Serbinë, Suljiçi tregoi varret e 17 emigrantëve dhe refugjatëve të paidentifikuar. Ai tha se i kishin thënë se disa prej tyre kishin me vete pasaportat e tyre kur u gjetën.
Nga varrezat shihet lumi Drina midis Serbisë dhe Bosnjës. Vetëm këtë vit në ujërat e këtij lumi janë gjetur rreth 30 trupa.
Varret NN zor se janë më të dallueshëm. Suljiçi arriti të bindë autoritetet lokale që t’i zëvendësojnë shënuesit prej druri me gur të zi. Ai shpreson se ato do të vazhdojnë të mbeten aty.
“Dëshira ime është që edhe pas 100 vjetësh këto varre të qëndrojnë si monumente të turpit të BE-së”, tha ai.
“Nuk ishte lumi që i vrau këta njerëz, por regjimi kufitar i BE-së.”