Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka kritikuar Qeverinë në raport me dialogun e Brukselit.
Ajo ka thënë se nën Qeverinë Kurti ky proces ka humbur komplet qëllimin, duke u futur në një rreth vicioz të dialogut teknik.
Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti është akomoduar aq mirë në procesin e dialogut, të cilin e kishte kritikuar fuqishëm, sa ka harruar marrëveshjen përfundimtare.
Tahiri e ka ftuar kryeministrin Kurti që ta nxjerrë procesin nga ky rreth dhe t’i nisë bisedimet rreth marrëveshjes finale për njohje reciproke.
“Kjo qeveri dhe kryeministri Kurti kanë qenë aq fort kundër dialogut të Brukselit dhe tani janë bërë aq komod me këtë proces. Dikur në shenjë proteste ndaj këtij procesi kanë ushtruar dhunë dhe kanë djegur institucionet, ndërsa tani janë akomoduar aq shumë me këtë dialog, sa kanë harru se aty janë për të nxjerrë rezultate dhe për të bërë marrëveshje, dhe jo për të lejuar zvarritjen e tij ku Serbia po përfiton dhe Kosova nuk po përfiton”, ka thënë Tahiri.
Zonja Tahiri, Kosova dhe Serbia sot do ta mbajnë takimin e radhës për targat, në kuadër të dialogut teknik. Pritni ndonjë marrëveshje ndryshe nga ajo që është arritur në kohën tuaj?
Tahiri:
Marrëveshja për targat është arritur disa vite më parë dhe ka qenë e precizuar qartë mbi parimin e reciprocitetit dhe është dashur të zbatohet që atëherë. Dhe zvarritja që po bëhet në këtë kontekst po më shqetëson. Sepse po mendoj se Serbia qëllimisht i zvarrit këto çështje për ta lënë dialogun me kontekst teknik.
Nacionale:
Zyrtarët e BE-së kanë kërkuar që për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për targat, palët duhet të bëjnë kompromise. Duhet të bëjë ndonjë kompromis Kosova në këtë aspekt?
Tahiri:
Kosova nuk guxon të bëjë kompromise në këtë aspekt. Kosova vetëm duhet të respektojë Kushtetutën e Republikës dhe gjithçka të arrihet mbi parimin e reciprocitetit, ashtu siç e kemi bërë edhe ne, qeveritë e kaluara. Prej fillimit të këtij procesi, të gjitha marrëveshjet janë bërë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Pra, edhe tani Kosova duhet ta mbrojë reciprocitetin dhe Kushtetutën.
Nacionale:
Cili është vlerësimi juaj për qasjen që Qeveria Kurti ka pasur ndaj këtij procesi?
Tahiri:
Në vend se dialogu të fillonte me fazën finale, procesi ka humbur komplet qëllimin. Pra, procesi i dialogut është futur në një rreth vicioz të një dialogu teknik. Kjo qeveri është dashur qysh në fillim ta ndryshojë qasjen dhe të insistojë vetëm në marrëveshjen finale. Ajo që dua të them është se duhet të dilet nga ky rreth vicioz i dialogut teknik.
Kosova duhet të kërkojë që të bisedohet vetëm për njohjen reciproke si dhe të kërkojë nga partnerët e saj, SHBA-ja dhe BE-ja, që ky proces të përshpejtohet drejt finales.
Nacionale:
Pse Serbisë po i konvenon zvarritja e këtij procesi?
Tahiri:
Së pari, siç po shihet, Serbia nuk e ka mendjen te paqja në Ballkan, rrjedhimisht as te një marrëveshjes e mundshme në Bruksel. Sepse Serbia ka mbetur pro-ruse. Ani pse dha disa sinjale se është kundër agresionit rus në Ukrainë, duke votuar krah vendeve perëndimore në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por kur erdhi puna te sanksionet ekonomike kundër Rusisë, ajo nuk i vendosi. Kjo tregon se nuk ka interesim për paqe dhe për marrëveshje. Ajo po armatoset, siç u pa së fundi, edhe nga Kina. Me fjalë tjera është momenti për partnerët euro-atlantik, si ndërmjetësues të këtij procesi të ulen dhe të mendojnë se nuk mund të jetë deri në pafundësi ndërmjetësues nëse një proces nuk po rezulton me një marrëveshje finale. Pra, BE-ja duhet të marrë masa që këtë dialog ta fusë në korniza kohore.
Nacionale:
Kryeministri Kurti, i cili e kishte kundërshtuar shumë dialogun, tani nuk po e bën një gjë të tillë. Si e keni parë këtë ndryshim të Kurtit?
Tahiri:
Kjo qeveri dhe kryeministri Kurti ka qenë aq fort kundër dialogut të Brukselit dhe tani janë bërë aq komod me këtë proces. Dikur në shenjë proteste ndaj këtij procesi kanë ushtruar dhunë dhe kanë djegur institucionet, ndërsa tani janë akomoduar aq shumë me këtë dialog sa kanë harru se aty janë për të nxjerrë rezultate dhe për të bërë marrëveshje, dhe jo për të lejuar zvarritjen e tij ku Serbia po përfiton dhe Kosova nuk po përfiton.
Nacionale:
Gjatë vitit të parë të qeverisjes Kurti kemi parë vetëm dy takime të nivelit të lartë politik në Bruksel dhe shumë takime në nivel teknik. Çka duhet të bëjë tani qeveria që ta ndryshojë këtë qasje?
Tahiri:
Qeveria duhet që me kërkesë zyrtare t’i drejtohet Brukselit dhe Uashingtonit që procesi i bisedimeve të jetë vetëm për marrëveshjen finale dhe vetëm për njohje reciproke. BE-ja si ndërmjetësuese duhet ta kuptojë se tani është koha që të kemi rezultate në këtë proces.
Nacionale:
Sa mund ta shfrytëzojë Kosova agresionin rus në Ukrainë për ta fuqizuar pozicionin e saj në këtë proces të dialogut?
Tahiri:
Kur jemi të lufta në Ukrainë, është e qartë se kjo është një luftë gjeopolitike. Synimet e Rusisë janë gjeostrategjike, dhe siç e dimë Rusia synime të tilla ka pasur edhe ndaj Ballkanit.
Kjo luftë që po zhvillohet në Ukrainë, nuk mund të mendohet që të mos ketë pasoja ndaj Ballkanit, duke qenë në dijeni se Ballkani Perëndimor ka qenë në fokusin rus, ku Serbia si aleate e Rusisë ka tentuar çdoherë ta destabilizojë rajonin.
Duke marrë parasysh se mund të këtë ndikime të paparashikuara të kësaj lufte në Ballkan, unë mendoj se është koha që SHBA-ja dhe BE-ja duhet të marrin vendime gjeopolitike ndaj Ballkanit Perëndimor.
Nacionale:
Çfarë mendon me këto vendime gjeopolitike?
Tahiri:
Kjo nënkupton që BE-ja dhe NATO duhet të zgjerohen në Ballkanin Perëndimor. NATO duhet ta anëtarësojë Kosovën dhe Bosnjën sa më shpejt. Kjo duhet të bëhet në emër të ruajtjes së paqes dhe stabiliteti të Ballkanit. Gjithashtu edhe BE-ja duhet të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkupton që Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia, të bëhen anëtare të BE-së. Pra, zgjerimi i BE-së dhe NATO-s në Ballkan është i domosdoshëm dhe është mënyra më e mirë që ky rajon të mbrohet nga çfarëdolloj destabilizimi apo ndikimi nga jashtë. Sepse me luftën në Ukrainë, ardhmëria gjeopolitike e botës po kërcënohet dhe me këtë rast është kohë për vendime të mëdha gjeopolitike.
Këtu qeveria e Kosovës duhet të pozicionohet në raport me këto zhvillime. Pra, qeveria duhet të fokusohet në sigurinë kombëtare, të mbajë diplomaci strategjike me aleatët tanë perëndimorë, në mënyrë që me këtë kontekst mjaft kompleks Kosova të dëshmohet se di ta mbrojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Nacionale:
Të kthehemi edhe pak të dialogu. Në fazën finale të këtij procesi është i pashmangshëm diskutimi për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Cilat janë parimet që duhet t’i ndjekë Qeveria?
Tahiri:
Sa i takon procesit të një marrëveshjeje finale, ne në Qeverinë e Kosovës e kemi lenë dokumentin, i cili përcakton të gjitha parimet që çojnë drejt marrëveshjes finale dhe njohjes reciproke. Ky dokument edhe sot është në faqen e Qeverisë, e të cilin unë ia kam dorëzuar edhe Kuvendit të Kosovës. Ky dokument është baza më e mirë ku mund të mbështetet kjo qeveri.
Ndërsa, se çfarë sfidash do të nxjerrë vetë procesi i bisedave finale, ato janë sfida që duhet të na i tregojë qeveria. Në këtë fazë është e rëndësishme që Qeveria duhet ta ketë në krah Kuvendin dhe t’i respektoj vijat e kuqe. Sepse të jesh udhëheqës i qeverisë do të thotë të dish t’i mbrosh interesat kombëtare dhe të dish të marrësh përgjegjësi. Kjo qeveri ka marrë përgjegjësinë e popullit që ta kryejë këtë përgjegjësi.
Nacionale:
Në vizitën e përbashkët që kanë pasur në Kosovë, emisarët e BE-së dhe SHBA-së kanë bërë me dije se nuk do të imponojnë ndonjë model të asociacionit, por palët duhet t’i prezantojnë versionet e tyre.
Tahiri:
Kjo temë duhet të diskutohet me përfaqësuesit e Qeverisë. Marrëveshjet duhet të arrihen në bazë të Kushtetutës dhe në proces vjen në shprehje kreativiteti i palëve për ndonjë zgjidhje të mundshme. Nuk e kam pasur lehtë as unë kur ka ardhur në shprehje gjetja e zgjidhjeve.
Nacionale:
Kurti është shprehur kundër çfarëdo asociacioni. A duhet të jetë ky qëndrimi i Kosovës në këtë proces?
Tahiri:
Kryeministri Kurti ka qenë kundër kësaj çështjeje dhe për këtë qëndrim kundër kanë marrë votat. Ndërsa tani, nuk guxon ta zbatojë. Sepse nëse e bënë një gjë të tillë, e tradhton elektoratin e tij.