Kush shpenzon më shumë në Shqipëri, burrat apo gratë?

 3,780 total views,  1 views today

Gratë dhe burrat kanë një qasje të ndryshme ndaj shpenzimit të parave.

Të dhënat më të fundit të Instat tregojnë se familjet ku kryefamiljari është burrë shpenzimet fiksohen në rreth 78 mijë lekë në muaj, ndërsa ato ku ka kryefamiljare grua, janë vetëm 64 mijë lekë në muaj, pra rreth 22% më pak. Shpenzimet totale mujore sipas gjinisë së kryefamiljarit janë padiskutim rrjedhojë edhe e të ardhurave më të ulta për gratë.

Hendeku gjinor në paga në vendin tonë fiksohet në rreth 10%. Pra, diferenca totale prej rreth 22%, nuk shpjegohet vetëm me të ardhurat më të ulta mes dy gjinive, por edhe me faktin se gratë janë më “nikoqire” në shpenzime.

Për të analizuar këtë duhet të shohim sesi i shpenzojnë paratë të dyja gjinitë. Shenja e barazisë në shpenzime vihet vetëm në zërin e shpenzimeve për banesë, dhe fatura ujë, drita, etj, me rreth 7900 lekë secila gjini. Në të gjitha zërat e tjerë, burrat kryefamiljarë shpenzojnë më shumë se gratë. Diferencë e vogël vihet re edhe në zërin e ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, me 34 mijë lekë për burrat dhe rreth 30 mijë lekë për gratë, pra rreth 13% diferencë. Edhe në arsim diferenca është e ulët, me rreth 11%.

Burrat shpenzojnë më shumë se gratë në vlerë absolute për transportin, 120% më shumë se gratë kryefamiljare, restorant dhe hotele, rreth 44% më shumë, pije alkoolike dhe duhan, 71.5% më shumë, argëtim dhe kulturë, 31.2% më shumë apo veshje, rreth 30% më shumë.

Siç vihet re qartë edhe nga shifrat, diferenca është më e vogël në zërat e shpenzimeve të domosdoshme për një jetesë bazë, ndërsa thellohet ndjeshëm tek ato kategori që mund të klasifikohen edhe si luks, pra jo të domosdoshme, si alkool, duhan, restorante, veshje, etj. Duke qenë se diferenca në shpenzime mes burrave dhe grave justifikohet vetëm pjesërisht nga hendeku në paga, shifrat sinjalizojnë se gratë kryefamiljare kursejnë në muaj më shumë se burrat kryefamiljarë.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •