Presidenti i Turqisë ka rënë dakord që t’i hapë rrugën anëtarësimit të Suedisë në NATO, pasi kjo e fundit ra dakord me disa kushte të listuara nga Ankaraja.
Sipas asaj që u bë e ditur në konferencën për mediat të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, disa nga pikat me të cilat u negociua mes palëve ishin qëndrime mbi organizatën FETÖ, marrëveshjet ekonomike mes dy vendeve, luftimi i terrorizimit e të tjera.
Më konkretisht, në Samitin e NATO-s në Vilnius, Suedia dhe Turqia ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre si në kuadrin e Mekanizmit të Përhershëm të Përbashkët Trepalësh të krijuar në Samitin e NATO-s në Madrid në 2022, ashtu edhe në kuadrin e një Pakti të ri dypalësh të Sigurisë që do të mblidhet çdo vit në nivel ministror dhe do të krijojë grupe pune rast pas rasti.
Në takimin e parë të këtij Pakti të Sigurisë, Suedia do të paraqesë një udhërrëfyes si bazë për të vazhduar luftën e saj kundër terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij drejt zbatimit të plotë të të gjithë elementëve të Memorandumit Trepalësh, përfshirë nenin 4.
Suedia përsëriti po ashtu se ajo nuk do të ofrojë mbështetje për YPG/PYD dhe organizatën e përshkruar FETÖ në Turqi.
Si Suedia ashtu edhe Turqia ranë dakord se bashkëpunimi kundër terrorizmit është një përpjekje afatgjatë, e cila do të vazhdojë edhe pasi Suedia të anëtarësohet në NATO.
Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ripohoi gjithashtu se NATO dënon kategorikisht terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij. NATO do të rrisë ndjeshëm punën e saj në këtë fushë, duke përfshirë krijimin, për herë të parë në NATO, nga Sekretari i Përgjithshëm i postit të Koordinatorit Special për Kundër-Terrorizmin.
Shefi i NATO-s deklaroi se aleanca do të sigurohet se nuk duhet të ketë kufizime, barriera apo sanksione në tregtinë e mbrojtjes dhe investimet midis aleatëve.
Suedia dhe Republika e Turqisë ranë dakord gjithashtu për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, përmes Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Turqi-Suedi (JETCO).
Si Turqia ashtu edhe Suedia do të kërkojnë të maksimizojnë mundësitë për të rritur tregtinë dhe investimet dypalëshe. Suedia do të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të rigjallëruar procesin e pranimit të Turqisë në BE, duke përfshirë modernizimin e bashkimit doganor BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave.