Larg nga konceptimi i “pushtuesve”, shqiptarët janë larguar nga familjet e tyre dhe kontribuojnë për një shoqëri më të mirë britanike.
Kështu e nis përsiatjen e saj profesoresha e filozofisë dhe teorive politike pranë “London School of Economics”, Lea Ypi, lidhur me debatin e nxehtë të javëve të fundit, i cili lidhet me emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe dhe me mënyrën se si qeveria e re britanike dhe ligjvënësit po e përdorin këtë kauzë, për të fshehur në realitet dështimet e brendshme të politikëbërjes së tyre.
Me një rrëfim personal të largimit të saj nga Shqipëria në fillimvitet 1990, kur ajo kujton se babai i një miku të saj ishte në realitet trafikant njerëzisht drejt vendeve të huaja, tranzicioni komunist ishte ai çfarë i hapi sytë dhe dyert drejt Perëndimit Shqipërisë.
Sot, tre dekada më pas, për Ypin, emigrantët shqiptarë po trajtohen thjesht si “koka turku” nga pushtetarët e Mbretërisë së Bashkuar, për të fshehur në realitet dështimin e projektit të tyre ideologjik.
Prej asaj kohe, Ypi kujton se emigrimi s’ka qenë gjë tjetër për shqiptarët, veçse një bekim dhe një mallkim, që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Reforma “shokuese” neoloberale, e cila premtonte ngritjen e një parajse kapitaliste mbi rrënojat e një diktature komuniste, ishin kudo.
Por, sot, çdo vit, Shqipëria investon për të arsimuar doktorë të rinj, infermierë, të cilët me të marrë diplomën universitare, e braktisin vendin, të joshur nga pagat më të larta që ofrojnë vendet e Evropës dhe kushtet më të mira të jetesës.
Pikërisht në këtë çast, ndodh edhe përthithja që Britania dëshiron sipas Ypit, duke marrë punëtorë të kualifikuar tashmë, duke i bërë ata të paguajnë taksa, të cilat shërbejnë për të paguar pensionet e të meshuarve britanikë, të cilët në vetvete, janë në përkujdesjen e infermierëve shqiptarë.
Në Shqipëri, spitalet, do të përballen me kriza dhe mungesë stafi. Pse? Që Britania të vijojë t’i japë pacientëve të saj përkujdesjen e duhur, vijon profesoresha.
Mirëpo, ndryshe nga emigrantët e zakonshëm, ky fenomen nuk i shqetëson fort pushtetarët në Britani, pasi ky lloj migrimi për ta është statik.
“Vetë unë jam një tjetër emigrante, një qindra mijëra shqiptarë, fati i të cilëve është vulosur nga emigracioni”, shpjegon më tej Ypi. “Për sekretaren e Brendshme, Suella Braverman, ne jemi të gjithë kriminelë”.
Përtej kësaj, edhe shifrat sipas saj po keqpërdoren, duke e bërë të duket sikur Britania është “targetuar” nga shqiptarët dhe të gjithë po shkojnë drejt saj.
Por, që prej Luftës së Ftohtë, shqiptarët kanë qenë vendi me migrimin më të lartë në Evropë dhe sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara, kështu do të vijojë të jetë edhe për dy dekadat e ardhshme.
Krizat e njëpasnjëshme ekonomike, kanë ndikuar gjithashtu në këtë trend të qëndrueshëm emigrimi, për të mos përmendur edhe krizën e fundit të sjellë nga pandemia COVID-19 apo lufta në Ukrainë.
Por, megjithë këtë, ajo çfarë ndodhi në verën e vitit 2021, i shtangu të gjithë.
Pas një pasoje të qenësishme të largimit të NATO-s dhe veçanërisht amerikanëve nga Afganistani, rreth 4 mijë qytetarë afganë e gjetën në Shqipëri shtëpinë e tyre të përkohshme.
Vendet më të pasura të NATO-s nuk i morën ata në gjirin e tyre. Shqipëria po, shpjegon Ypi.
A është e vërtetë se numri i emigrantëve shqiptarë së fundmi është në rritje? Po, vijon ajo më tej, si drejt Britanisë së Madhe, ashtu edhe drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Kjo është alarmuese për Shqipërinë, por as së largëti diçka, e cila do të provokonte një rënie sistemi për një vend të grupimit G7, si Britania.
Mediat sociale i kanë treguar shqiptarëve së fundmi se në Britani ka mungesë punëtorësh në treg. Të gjithë e dinë këtë tashmë.
Ata po ashtu e dinë se bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës mes palës franceze dhe asaj britanike, është bërë më e vështirë tashmë, me daljen e kësaj të fundit nga Bashkimi Evropian.
Pra, shkurt, për Ypin, ky është një problem shumë britanik dhe akoma më shumë, i konservatorëve.
140 mijë shqiptarë jetojnë në Britaninë e Madhe momentalisht.
Doktorë, punëtorë ndërtimi, avokatë, pastrues, sipërmarrës apo akademikë.
Një shumëllojshmëri komunitare tërësisht e integruar, e cila paguan taksa, të cilët thellë thellë, edhe i betohen besnikërinë e tyre Monarkisë britanike.
Kur të gjithë etiketohen si kriminelë, ndryshimet mes tyre, historitë personale, kontributi në shoqëri, bëhet i padukshëm.
Ideali i demokracisë merret peng nga realiteti i shëmtuar i metaforave.
Nëse një grup i tërë minoritar, mbyll Ypi, etiketohet si “pushtues”, projekti i integrimit shpërbëhet.
Pyetja e vërtetë që duhet të shtrohet ndërkohë, nuk është ajo morale, sa një për efiçencën.
Deklaratat e Braverman, ishin dërrmuese kundrejt dhjetëra mijëra shqiptarëve, të cilët japin kontribut në Angli.
Ndaj, si qytetarë britanikë, ata duhet të kërkojnë dorëheqjen e saj.
Si qytetarë shqiptarë, duhet t’i kërkojnë autoriteteve shqiptare të refuzojnë bashkëpunimin me Britaninë, pa marrë fillimisht një kërkesë ndjese.