Elisa Spiropali ka njoftuar se ka dorëzuar zyrtarisht në Asamblenë e Përgjithshme të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e një debati mbi “Marrëveshjen për Shqipërinë e Re”.
Në një prononcim për mediat para nisjes së seancës parlamentare, ajo tha se dokumenti nuk është një nismë personale, por dokument i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së.
“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe shoqërisë”, tha ajo.


