Një nënë 29-vjeçare dhe dy fëmijët e saj, 11 dhe 3 vjeç, humbën jetën tragjikisht pasi u mbytën në lumin Esca, në zonën e digës së Roncalit në Navarra, Spanjë. Vendi ishte i njohur si një zonë e preferuar për not dhe piknik në Pirenej.
Shërbimet e emergjencës mbërritën pasi u dha alarmi rreth orës 16:39. Mjekët dhe ekipet e shpëtimit, përfshirë një helikopter mjekësor, u përpoqën për më shumë se një orë t’i shpëtonin, por fatkeqësisht të tre u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Policia spanjolle (Guardia Civil) po heton rastin dhe deri tani po e trajton si një aksident tragjik, ndërsa po verifikon të gjitha rrethanat e ngjarjes. Identiteti i nënës dhe fëmijëve nuk është bërë publik.
Pas ngjarjes, bashkia e Roncalit shpalli tri ditë zie zyrtare dhe shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimave.


